Lidhje

Kosovë: Shënohet katërmbëdhjetë vjetori i fillimit të luftës


Në Kosovë filluan sot manifestimet treditëshe në përkujtim të 14 vjetorit të betejës së fshatit Prekaz të komunës së Skenderajt, e cila shënoi edhe fillimin e luftës gati dy vjeçare në Kosovë.

Më 5 mars të vitit 1998, forcat serbe rrethuan familjen Jashari në këtë fshat. Gjatë disa ditë luftimesh humbën jetën mbi 50 anëtarë të familjes, përfshirë edhe Adem Jasharin, që shqiptarët e njohin si komandant legjendar të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dhjetë vjet pas asaj beteje Kosova shpalli pavarësinë e saj e cila është njohur nga 87 vende të botës përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian, ndërsa vazhdon të kundërshtohet ashpër nga Beogradi. Kryeministri i Kosovws, Hashim Thaçi, tha se asnjë arritje në Kosovë nuk mund të përfytyrohet pa sakrificën e qytetarëve të saj.

Kosova është rrëfimi i suksesshëm, origjinal dhe unikal i çlirimit dhe pavarësisë, vepër gjeniale e qëndrueshmërisë, vizionit dhe përcaktimit të drejtë të qytetarëve të saj. Më 17 shkurt 2008 Kosova kurorëzoi Pavarësinë – të arriturën më të madhe politike, juridike dhe diplomatike në historinë e qytetërimit dhe të ekzistencës së saj. Prandaj, sot e gjithmonë si institucione dhe si qytetarë përulemi me respekt para emrit, jetës dhe veprës së dëshmorëve të lirisë dhe Jasharëve legjendarë”, tha kryeministri Thaci.

Katërmbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës që filloi me betejën e Prekazit, Kosova përballet me problemin tejkalimit të trashëgimive të saj. Edhe më tej nuk dihet asgjë për fatin e rreth një mijë e 800 personave të zhdukur, pjesa më e madhe e të cilëve të përkatësisë kombëtare shqiptare.

Përfaqësuesi i familjes Jashari, Bekim Jashari bëri thirrje ndërkaq për bashkim në proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.

Populli ynë sot 14 vite ishte në luftë, Kosovën e kishte kapluar tymi dhe flaka por ishim bashkë, e ndihmuam njëri tjetrin, që ne sot të gëzojmë lirinë. Atëherë pse vallë ne sot duhet ta kemi kaq të vështirë që të jemi bashkë, ta duam njëri tjetrin që të qojmë këtë vend të fortë dhe konkurrent me vende tjera”, ka thënë Bekim Jashari.

Në katërmbëdhjetë vjetorin e fillimit të luftës, Kosova është përfshirë në debate lidhur me marrëveshjet e arritura në bisedimet e filluara një vit më parë më Serbinë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Serbia mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosova zotimin për shkurtim të rrugës së integrimeve evropiane. Kjo u bë e mundur me një marrëveshje për përfaqësimin e Kosovës ne forumet rajonale me një shënim të veçantë në të cilin janë përfshirë rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe opinionin e Gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë lidhur me deklaratën e pavarësisë së Kosovës. Opozita e kritikoi ashpër marrëveshjen duke e cilësuar atë si të dëmshme për shtetësinë e Kosovës, ndërsa qeveria dhe diplomatët perëndimore thanë se kjo ishte zgjidhja me ë mirë e mundshme që ofron të dyja palët me strukturat evropiane.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG