Lidhje

Kosovë: Shoqatat e gazetarëve dënojnë kërcënimet ndaj gazetës “Express”


Shoqatat e gazetarëve në Kosovë, reaguan sot kundër kërcënimeve të drejtuara ndaj gazetës së përditshme “Express”. Asociacioni i Gazetarëve Profesionist të Kosovës dhe Unioni i Gazetarëve të Kosovës, u shprehën të shqetësuar me njoftimet se persona të panjohur kanë kërcënuar se do të hedhin bombë në mjediset e të përditshmes “Express”.

Sipas këtyre shoqatave, gjatë gjithë paradites së sotme, persona të ndryshëm që janë prezantuar si përfaqësues të kompanive të ndryshme të naftës, janë kërcënuar se do të “hedhin gazetën në erë”, pas publikimit të një artikulli ku njoftohej se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë kishte gjobitur disa kompani për cilësi të dobët të karburanteve.

Ata u kanë bërë thirrje policisë së Kosovës, misionit të EULEX-it dhe të gjitha institucioneve të tjera të drejtësisë, që të zbardhin këto kërcënime, duke i cilësuar ato si shkelje të lirisë së shprehjes dhe lirisë së informacionit.

Kërcënimet e tilla të drejtpërdrejta për jetën gazetarëve dhe pronën e medieve, janë tregues i qartë se çfarë shkalle të rrezikut paraqet trajtimi i temave të ndjeshme nga ana e gazetarëve dhe medieve, thuhet në reagimet e shoqatave të gazetarëve.

XS
SM
MD
LG