Lidhje

Kosovë: Shqetësime për qëndrueshmërinë financiare


Kosovë: Shqetësime për qëndrueshmërinë financiare

Kosovë: Shqetësime për qëndrueshmërinë financiare

Komisioni Evropian ka shprehur sot shqetësimin për rrezikun që i kërcënohet buxhetit të Kosovës për vitin 2011 ndërsa ka bërë thirrje për rritjen e disiplinës fiskale si parakusht për mjedis të qëndrueshëm makroekonomik dhe investimet në Kosovë. Shqetësimet e Komisionit Evropian vijnë një ditë pasi që Fondi Monetar Ndërkombëtar, njoftoi është ndërprerë marrëveshja e arritur në korrik të vitit të kaluar që kishte për qëllim “të rivendosë qëndrueshmërinë fiskale dhe të ruajë qëndrueshmërinë financiare duke ushtruar kufizime në shpenzime dhe duke rritur depozitat e Qeverisë në Bankën Qendrore të Kosovës. Elemente të buxhetit të vitit 2011, në veçanti rritja e madhe e pagave, kanë devijuar nga programi dhe si rezultat, nuk do të përfundojë rishikimi i programit.

Me këtë qëndrim Kosovës i është pamundësuar qasja në mbështetjen e premtuar financiare prej 156 milion eurosh nga Fondi monetar, Banka Botërore dhe Komisioni Evropian. Megjithatë kryeministri i Kosovës Hashim Thaci tha se qeveria e tij ka shmangur thellimin e përplasjeve duke arritur një marrëveshje me Fondin për vëzhgimin e politikave ekonomike të Kosovës për vitin 2011.

“Këto politika kanë për qëllim kryesor ruajtjen e mëtutjeshme të qëndrueshmërisë fiskale dhe menaxhimin e ekzekutimin më të fuqishëm të buxhetit. Zbatimi i suksesshëm i këtij programi gjatë këtij viti do të mundësojë vazhdimin e mbështetjes dhe asistencës nga FMN dhe donatorët tjerë”, tha kryeministri Thaçi.

Mospajtimet ndërmjet qeverisë dhe FMN-së, u thelluan për shkak të vendimit të qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave për shërbyesit civilë. Një vit me parë, qeveria e Kosovës ishte pajtuar me Fondin Monetar që pagat në sektorin publik, të rriten për 7-8 për qind, por ato shënuan një rritje mesatare prej 30 për qindësh në fillim të këtij viti. Kjo kishte nxitur shumë reagime edhe të opozitës e cila ka shfaqur drojën se veprimet e tilla mund të qojnë në thellimin e krizës ekonomike në vend.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa tha sot se zhvillimet e tilla bëjnë që Kosova të humb besimin tek organizata e rëndësishme ndërkombëtare bashkë me humbjen e fondeve të zotuara. “Ndërkaq, do të kemi probleme shumë të mëdha me qëndrueshmërinë buxhetore, për arsye se konstruksioni buxhetor i aprovuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, do të jetë i mangët për këto mjete dhe këto mjete, do ta rrezikojnë drejtpërsëdrejti rezervën e Bankës Qendrore”, tha zoti Mustafa

Ekspertët e ekonomisë thonë se rrjedhojat e zhvillimeve të fundit do të bëhen me të ndjeshme vitin që po vjen. Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike amerikane, Lekë Musa, tha se gjatë këtij viti mungesat mund të përmbushen nga tepricat e fondeve.

Mirëpo, kriza mund të ndjehet në vitet në vijim, domethënë vitin e ardhshëm apo në vitin 2013 dhe kjo kryesisht për shkak të pamundësisë së qeverisë së Kosovës për të mbuluar shpenzimet operative të cilat vijnë si rezultat i ngritjes së kostos, apo faturës së pagave në shërbimin publik në Kosovë”, tha zoti Musa.

Fondi Monetar Ndërkombëtarë ka parashikuar rishikimin e marrëveshjeve me qeverinë e Kosovës në vjeshtën e këtij viti për të parë nëse po ndodhë ajo që u kërkua sot edhe nga Komisioni Evropian, disiplina fiskale.

Kosova shpalli pavarësisë në shkurt të vitit 2008, ndërsa në qershor të vitit 2009 ajo u bë anëtare e këtij fondi dhe Bankës Botërore, me gjithë kundërshtimet e Serbisë e cila vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e shtetit të ri.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG