Lidhje

Ambasadori i Kosovës: Të shmangim bllokimet e mallrave

  • Armand Mero

Tension tregtar mes Shqipërisë dhe Kosovës, pas bllokimit në kufi nga autoritetet respektive të sasive të qumështit dhe miellit.

Në Tiranë, ambasadori i Kosovës Sulejman Selimi i ka cilësuar si të pakuptimta bllokimet reciproke të mallrave në doganata mes dy shteteve. Reagimi i tij vjen pasi një sasi e madhe mielli nga Kosova nuk u lejua të hynte dje në Shqipëri, ndërsa një ditë më parë, autoritetet e Kosovës kishin bllokuar sasi të qumështit shqiptar. Me herët edhe ministri i Jashtëm Edmond Panariti i kishte cilësuar të nxituara vendimet e bllokimit të mallrave.


Ndërsa dy javë më parë u nënshkrua protokolli I bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës, i vlerësuar si dokumenti kryesor që do të nxiste ndër të tjera dhe bashkëpunimin ekonomik, dy ngjarje që pasuan njëra tjetrën në doganat kufitare, krijuan jo pak tension duke u interpretuar si një luftë e ftohtë tregtare mes dy vendeve. Ishin fillimisht autoritetet e Prishtinës të cilat bllokuan afër 23 ton qumësht prodhim shqiptar, duke mos lejuar hyrjen në tregun e Kosovës, pasi nuk ishte pajisur me vërtetimin e analizave për nivelin e përmbajtjes së aflatoksinës. Një ditë më pas, dje, 135 tonë miell, mbeti në doganë pasi autoritetet shqiptare nxorrën të njejtin motiv, mungesën e analizave të aflatoksinës. Sot ngarkesa e miellit u zhbllokua, pasi analizat treguan se ishte brenda normave, por edhe pas zhurmës që u krijua rreth këtij problemi.
Ambasadori i Kosovës në Tiranë tha se situata të tilla mes dy vendeve nuk duhet të ndodhin: "Besoj se janë situate të pakuptimta, ta papranueshme, që nuk duhet të ndodhin, si ajo me miellin dhe ato që kanë ndodhur më parë e tani me qumështin. Unë besoj se gjërat janë të rregulluara mes ministrive përkatëse dhe institucionet e tjera që zbatojnë ligjin duhet të jenë të kujdesshme. Duhet patjetër të ndërmarrim masa. Kryesisht për produktet ushqimore duhet të jetë jë treg i lirë mes dy vendeve”, tha Selimi.

Më herët edhe ministri i Jashtëm Edmond Panariti ishte shprehur se “kjo situatë kaotike, me elementë spekulative, në lëvizjen e mallrave dhe shërbimeve midis Shqipërisë dhe Kosovës, duhej shmangur”. Thelbi i deklaratës së tij kishte ne qendër pikërisht faktin se përpjekjet institucionale për zgjerimin e hapësirave të bashkëpunimit nuk duhet të vihen në rrezik “nga spekulimet apo spekulantët që synojnë të krijojnë pengesa artificiale”, duke mos bërë asnjë dallim mes dy vendeve. Sipas tij “është e nxituar, e pajustifikuar dhe e dëmshme që pa u njoftuar autoritetet përkatëse të ndërmerren akte bllokimi, përjashtimi dhe sekuestroje për mallrat dhe shërbimet përkatëse”.

Problemet tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë kanë ngritur shpesh krye. Ato shënuan një tjetër moment kritik një muaj më parë, kur qumështi i prodhuar në Shqipëri u bllokua në tregun e Kosovës pas dyshimeve për përmbajtje mbi normat të aflatoksinës, një substance kancerogjene që transmetohet nga ushqimi i bagëtisë e që është e rrezikshme për shëndetin nëse është në nivele të larta.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG