Lidhje

Kosovë – Shqipëri: Çimentoja s’është më problem


Enver Hoxhaj dhe Edmond Panariti
Enver Hoxhaj dhe Edmond Panariti

Përfaqësues të Kosovës dhe Shqipërisë, thanë se të dyja vendet duhet të eliminojnë pengesat për shtimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat


Nga një gushti, Kosova do të shfuqizojë vendimin e përkohshëm administrativ për vendosjen e një takse prej 35 për qind për importet e çimentos, një vendim që kishte nxitur shume reagime në Kosovë dhe Shqipëri, meqë kishte goditur kryesisht importet nga Shqipëria.

Vendimi i bë publik në fillim të vizitës së ministrit të jashtëm të Shqipërisë, Edmond Panariti, i cili në orët e mbrëmjes u takua me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe ministrin e jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Zyrtarët e lartë janë pajtuar se të dyja vendet duhet të zhvillojnë marrëdhënie në të gjitha fushat pa asnjë pengesë, sepse, sic është thënë, vetëm kështu politikat do të jenë në shërbim të popullit dhe në të mirë të të gjithë qytetarëve.

Ministri Panariti tha se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë duhet të jetë model edhe për vendet e rajonit që duhet të avancojnë marrëdhëniet ndërmjet tyre.

“Në këtë kontekst, qëndrimi ynë ka qenë konsekuent, në e mbështesim dialogun Kosovë – Serbi, si dy shtete fqinje plotësisht sovrane dhe të pavarura. Dhe natyrisht kërkojmë avancimin e zhvillimit të dialogut teknik në interes të popujve. Dhe ajo që është më kryesore dhe që unë dëshiroj të theksoj, në presim zbatimin sa më të shpejtë dhe pa asnjë ekuivok të marrëveshjeve të arritura ndërmjet dy vendeve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian”, tha ministri Panariti.

Ndërsa mikpritësi i tij, ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se Kosova është e gatshme të vazhdojë bisedimet me Serbinë pasi të jenë zbatuar marrëveshjet e arritura deri tash, por në ato bisedime nuk mund të përfshihet veriu i Kosovës.

Dua të them që qëndrimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës është që të ketë dialog të brendshëm, dialog të brendshëm me qytetarët në veri. Një dialog i cili ka ndodhur brenda për brenda Republikës së Kosovës, në vitin 2008, 2009 e 2010. Krijimi i gjashtë komunave shumetnike, integrimi i komunitetit serb në pushtetin lokal, në pushtetin qendror, tregon se Republika e Kosovës është storje ndërkombëtare e shtet ndërtimit dhe e suksesit”, tha ministri Hoxhaj.

Të dy ministrat u angazhuan për mbrojtjen dhe respektimin e te drejtave të komuniteteve, përfshirë edhe ato të komunitetit shqiptarë që jeton në tri komunat jugore të Serbisë, të banuara me shumicë shqiptare.

Zoti Panaritin i cili do të vazhdojë takimet në Prishtinë edhe të enjten, tha se Shqipëria në bashkërendim me institucionet e Kosovës do të shtojë përpjekjet diplomatike për të bërë të mundur avancimin e procesit të njohjeve të reja të Republikës së Kosovës.
XS
SM
MD
LG