Lidhje

Kosovë: Shtyhet afati i procesit të regjistrimit të popullsisë


Kosovë: Shtyhet afati i procesit të regjistrimit të popullsisë
Kosovë: Shtyhet afati i procesit të regjistrimit të popullsisë

Në Kosovë autoritetet thanë se procesi i regjistrimit të popullsisë, është shtyrë deri të martën, meqë ai nuk është përmbyllur në një pjesë të vendit, ndërsa nuk ka filluar fare në veriun e banuar me shumicë serbe. Autoritetet thanë se nuk dihet kur do të filloje regjistrimi në veri, i cili do të bëhet nga mekanizma ndërkombëtarë, një vendim ky që është kritikuar nga një pjesë e opozitës në Kosovë.

I planifikuar të përfundojë sot, regjistrimi i popullsisë në Kosovë, që filloi më një prill, shtyhet deri më 20 të këtij muaji, ndërsa është ende e paqartë se kur mund të ndodhë ky proces në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe. Autoritetet thanë se shtyrja e afatit është bërë në funksion të gjithë përfshirjes në këtë proces. Kryetari komisionit qendror për regjistrimin e popullsisë Rifat Blaku tha se kjo është bërë për interesa të vendit.

Për hir të interesit të të gjithë qytetarëve, për hir të interesit afatgjatë të vendit, kemi ardhur në një përfundim që në disa komuna, do të duhet t’i jepet shans, edhe për disa ditë, por gjithnjë konform praktikave ndërkombëtare që kur ka nevojë të shtyhet edhe për ndonjë ditë”, tha zoti Blaku

Ndërsa, në veriun e vendit procesi është bojkotuar nga pjesëtarët e komunitetit serb të cilët kanë ngulur këmbë se do të pranonin vetëm një regjistrim që do të bëhej nga Misioni i Kombeve të Bashkuara dhe atë në tërë Kosovën. Përfaqësuesit e serbëve në atë zonë, thonë se Prishtina po synon, siç thuhet, tëhuajsimin e 250 mijë serbëve që ndodhen në Serbi.

Zoti Blaku tha se regjistrimi do të ndodhë edhe në atë pjesë në bazë të planeve të hartuara nga Prishtina, por aspekti teknik do të përmbushet nga organizatat ndërkombëtare.

Atje është dhënë mundësia që kjo të shtyhet dhe të realizohet nga një organizatë që ka përvojë, e që është UNOPS-i, natyrisht me të gjithë aktorët pjesëmarrës, duke e përfshirë edhe Entin e Statistikave të Kosovës, edhe Zyrën e Bashkimit Evropian, edhe EUROSTAT-in, në mënyrë që të gjithë qytetarët të jenë përfitues dhe pjesëmarrës në këtë regjistrim”, tha zoti Blaku.

Përfaqësuesi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, Kjartan Bjornson, tha se po bëhen përpjekje për të ndryshuar mjedisin politik në veri, që ka penguar edhe regjistrimin e popullsisë, i cili duhet të ndodhë në një të ardhme të afërt, por pa saktësuar se kur mund të fillojë ky proces, për të cilin po vazhdojnë diskutimet.

Situata e ndërlikuar politike në veri nënkupton përfshirjen e shumë palëve dhe unë nuk e di se me kë po diskutohet, por janë shumë njerëz me të cilët duhet të zhvillohen këshillime dhe ato do të ndodhin”, tha zoti Bjornson, pa folur për hollësi nëse kjo nënkupton përfshirjen e strukturave të mbështetura nga Beogradi në atë zonë.

Procesi i regjistrimit është kritikuar ndërkaq nga një pjesë e politikës në Kosovë. Ish ministrja e administratës publike, Melihate Tërmkolli, tha se shtyrja e procesit është pasqyrë e mospërgatitjeve të duhura dhe se shtyrja do të duhej të bëhej nga Parlamenti i Kosovës, i cili edhe ka caktuar kohën e regjistrimit.

Sa i përket pjesës veriore, unë dua të them që, thjeshtë, ajo që po ndodhë është shkelje e kushtetutës së Kosovës. Është fatkeqësi e madhe që në vendin tonë shkelja e kushtetutës tashmë është bërë gati përditshmëri, është si të përtypesh një çamçakëz. Është e vërtetë që, regjistrimi i popullsisë nuk e ka prodhuar gjendjen në veri, por është gjendja në veri që në njëfarë mënyrë ka ndikuar edhe në procesin e regjistrimit. Por, një ditë dhe në një rast duhet t’u thuhet stop, këtyre shkeljeve dhe gjithë këtyre veprimeve të cilat po ndodhin në veriun e vendit”, tha ajo.

Zonja Tërmkolli thotë se regjistrimi do të jetë i vlefshëm edhe nëse nuk ndodhë në veriun e Kosovës, duke shprehur dyshimin që edhe organizata ndërkombëtare të jenë në gjendje të përmbushin këtë proces në atë pjesë ku veprojnë strukturat e mbështetura nga Beogradi.

Bashkësia ndërkombëtare në vend se t’i bëjë trysni Beogradit dhe në vend se ta ndalojë ndërhyrjen e Beogradit, shpërbërjen e atyre strukturave, në fakt po u bën favore atyre strukturave, pa u penguar edhe nga institucionet e Kosovës”, tha ish ministrja Tërmkolli.

Regjistrimi i popullsisë dhe pronave në Kosovë, po ndodhë për herë të parë pas 30 vjetësh. Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë ka ndodhur në vitin 1981. Dhjetë vjet më vonë, shqiptarët bojkotuan regjistrimin që po bëhej nga Beogradi. Regjistrimi i atij viti fliste për rreth 200 mijë banorë serb në Kosovë. Autoritetet në Prishtinë hedhin poshtë pretendimet e Beogradit se numri i të shpërngulurve serbë nga Kosova është rreth 250 mijë.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG