Lidhje

Kosovë, përfundojnë rivotimet në Mitrovicë

  • Leonat Shehu

Kosovë, përfundojnë rivotimet në Mitrovicë

Kosovë, përfundojnë rivotimet në Mitrovicë

Në orën 19 përfundoi rivotimi në komunën e Mitrovicës, të cilat pasuan parregullsitë e shfaqura në zgjedhjet e përgjithshme të 12 dhjetorit. Rreth 80 mijë votues u detyruan të dalin sërish në votime, ndërkaq votimet u ndoqën nga një numër i konsiderueshëm i vëzhguesve vendas e ndërkombëtarë.

Një pjesë e partive politike edhe sot janë ankuar për parregullsi sikurse edhe vëzhguesit e koalicionit Demokracia në Veprim, të cilët thanë se edhe sot ka pasur raste të votimeve të hapura dhe atyre familjare, probleme këto që kanë përcjellë pothuajse të gjitha zgjedhjet në Kosovë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se votimet janë zhvilluar pa ndonjë problem të theksuar që do të mund të ndikonte
në procesin e zgjedhjeve.

Pjesëmarrja në votime ishte më e vogël dhe sipas Komisionit Qendror të zgjedhjeve ka arritur në 26.76 për qind.

Dita e sotme pritet t’i jap fund procesit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, një proces ky që filloi më 12 dhjetor të vitit të kaluar, por u zgjat për shkak të parregullsive të shfaqura gjatë tij. Sipas rezultateve të deritashme të votimeve për pushtetin qendror, fituese është Partia Demokratike e Kosovës me 32 për qind të votave, ndërsa ajo pasohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 24.7 për qind,

Vetëvendosja me 12.6 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 11.2 për qind dhe Aleanca Kosova e Re me 7.3 për qind. Lidhja Demokratike e Dardanisë dhe Partia Fryma e Re nuk kanë arritur të kalojnë pragun zgjedhor, meqë të dyja kanë nga 2.2 për qind të votave.

Rivotimet e sotme nuk pritet të ndikojnë në renditjen e partive politike por mund të ndikojnë në radhitjen e deputetëve të parlamentit 120 vendesh të Kosovës.

Rivotimi i sotëm ka zgjatur edhe procesin e krijimit të qeverisë së re, meqë vërtetimi i rezultatit të zgjedhjeve nuk mund të ndodhë para javës së parë të muajit shkurt.

Zgjedhjet e 12 dhjetorit ishin të parat që nga shpalla e pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008 dhe të parat të parakohshme që nga viti 1999. Si të tilla ato janë parë si një sprovë për qëndrueshmërinë dhe demokracinë e shtetit të ri.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG