Lidhje

Kosovë: Sulmohen trupat e KFOR-it në veri


Trupat e KFOR-it në kufirin Kosovë - Serbi

Trupat e KFOR-it në kufirin Kosovë - Serbi


Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë, thanë se dy granata dore janë hedhur në një kamp të këtyre forcave, në veriun e banuar me shumicë serbe.

Sipas një njoftimi të forcave paqeruajtëse, granatat e dorës janë hedhur në orët e hershme të mëngjesit në kampin e KFOR-it në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bërnjak.


Njëra nga granatat ka shpërthyer duke lënduar lehtë një ushtar francez, ndërsa tjetra ka mbetur e pashpërthyer në mes të rrugës.

Në njoftimin e paqeruajtësve dënohet përdorimi i papranueshëm i dhunës, e cila, siç thuhet, do të luftohet fuqishëm nga KFOR-i.Edhe më tej, ndërkaq, nuk është dhënë ndonjë hollësi për autorët apo motivet e mundshme të këtij sulmi.

Incidenti i sotëm pasoi operacionin e së shtunës, kur KFOR-i mbylli një nga vendkalimet e paligjshme në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në veri. KFOR-i tha se operacioni ishte në funksion të një mjedisi të qetë dhe të sigurt dhe për të parandaluar lëvizjet e paautorizuara përgjatë vijës kufitare.

Operacioni KFOR-it, nxiti protestat e serbëve lokal dhe të qeverisë së Serbisë, e cila fajësoi KFOR-in për shtim tensionesh në veri.

KFOR-u u ka bërë thirrje me këtë rast të gjitha palëve që të shmangin veprimet e njëanshme, deklaratat nxitëse ose veprimet e dhunshme.

Serbët në veri, hapën rrugë dytësore përreth vendkalimeve kufitare pas operacionit të korrikut të vitit të kaluar të policisë së Kosovës për të vënë nën kontroll vendkalimet kufitare me Serbinë. Nëpër rrugët dytësore lëvizin kryesisht makina me mallra që nuk lejohen në vendkalimet zyrtare.

Dënohet sulmi ndaj KFOR-it

Institucionet vendase e ndërkombëtarë dhe partitë politike e dënuan gjerësisht incidentin e sotëm. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, duke e dënuar sulmin vlerëson se "ai është i papranueshëm dhe i patolerueshëm dhe në kundërshtim të plotë me misionin e forcës paqeruajtëse për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt në Kosovë, për të gjithë qytetarët e saj".

Sipas presidentes Jahjaga, "ky sulm është edhe një përpjekje e strukturave të paligjshme e kriminale serbe, që veprojnë në tri komunat në veri të vendit, për të penguar vendosjen e rendit dhe ligjit dhe për të penguar lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave në atë pjesë të territorit të Kosovës".

Qeveria e Kosovës e dënoi sot ashpër sulmin KFOR-it, duke akuzuar siç thuhet “strukturat kriminale në veriun e Kosovës”. Duke i shprehur KFOR-it mbështetjen e saj në përmbushjen e misionit për sigurimin e lëvizjes së lirë edhe në atë pjesë të territorit të Kosovës, qeveria u ka bërë thirrje qytetarëve serbë të Kosovës që të jenë pjesë e institucioneve demokratike e kushtetuese dhe të bashkëpunojnë me KFOR-in.

“Largimi i barrikadave nga KFOR-i dhe hapja e rrugëve për të siguruar lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave në gjithë pjesën veriore të Kosovës është në funksion të hapjes së perspektivës së zhvillimit ekonomik dhe të krijimit të sigurisë së plotë për gjithë qytetarët
”, thuhet në reagimin e qeverisë së Kosovës.

Sulmi u dënua edhe nga Lidhja Demokratike Kosovës, e cila vlerëson se veprimet e tilla “janë sulme të drejtpërdrejta ndaj rendit dhe ligjit, sulme kundër forcave që kanë mandatin për të garantuar lirinë e lëvizje dhe një mjedis të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët.

“LDK mbështet KFOR-in në përmbushjen e misionit themelor që ka për të garantuar lirinë e lëvizjes dhe sigurinë në tërë territorin e Kosovës e në radhë të parë në veri të vendit, pjesë në të cilën strukturat kriminale, të ndihmuara e të financuara nga Serbia, po e cenojnë në vijimësi rendin dhe ligjin
”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit ndërkaq e ka cilësuar sulmin si veprim "kundër komunitetit ndërkombëtarë”, ndërsa është zotuar se “bashkësia ndërkombëtare, përfshirë KFOR-in dhe EULEKS-in, nuk do të zmbrapsen nga sulmet e këtilla qyqare”..

Sulmi është dënuar edhe nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Në një komunikatë për opinion të shefit të këtij misioni Farid Zarif thuhet se "Çfarëdo përdorimi ose kërcënimi me dhunë kundër paqeruajtësve ndërkombëtarë është i papranueshëm dhe duhet të dënohet në mënyrën më të fuqishme”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG