Lidhje

Kosovë: Sulmohet një murg serb në Mitrovicë


Mitrovica
Mitrovica

Policia tha se një murg serb ka pësuar lëndime të lehta nga goditjet që ka marrë nga dy persona të panjohur në pjesën jugore të Mitrovicës.


Policia e Kosovës bëri të ditur se persona të panjohur kanë sulmuar fizikisht një murg të kishës ortodokse serbe në Mitrovicë.

Sipas policisë, murgu Milorad Bulajic, ka pësuar lëndime të lehta nga goditjet që ka marrë nga dy persona në pjesën jugore të Mitrovicës. Ai është dërguar në spital nga pjesëtarët e policisë së Kosovës, të cilët thanë se janë duke kryer hetime për të ndriçuar këtë incident, ndërsa theksuan se ende nuk dihet për identitetin e autorëve apo motivet e këtij sulmi.

Incidenti, i cili nxiti reagimin e autoriteteve serbe, është i dyti me radhë gjatë dy ditëve të fundit në Mitrovicë.

Të martën, persona të panjohur qëlluan mbi një patrullë të policisë në veriun e banuar me shumicë serbe, që ishte vendosur përballë ndërtesës ku pritet të hapet zyra administrative e qeverisë së Kosovës.

Qyteti i Mitrovicës i ndarë në veriun e banuar me shumicë serbe dhe jugun me shumicë shqiptare, mbetet skenë e ndarjeve dhe tensioneve etnike që nga përfundimi i luftës në Kosovë, trembëdhjetë vjet më parë.
XS
SM
MD
LG