Lidhje

EULEX-i akuzon 8 gjyqtarë dhe një prokuror për korrupsion


EULEX
EULEX

Tetë gjyqtarë, dhe një prokuror akuzohen në dy raste të ndara për shpërdorim të detyrës dhe vendime të paligjshme.

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, bëri të ditur se ka ngritur dy aktakuza ndaj katërmbëdhjetë të dyshuarve për përfshirje në korrupsion.

Njëra akuzë përfshinë ish kryetarin e Gjykatës komunale të Prishtinës, katër ish gjyqtarë të kësaj gjykate, tre ish gjyqtarë të Gjykatës së Qarkut, një avokat dhe një përfaqësues të një ndërmarrjeje shoqërore.

Prokurori i çështjes nga Prokuroria e Posaçme e Kosovës, “akuzon ish kryetarin e Gjykatës Komunale për veprat penale, shpërdorim të pozitës zyrtare dhe të autoritetit dhe për ndihmë në nxjerrjen e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme. Shtatë ish gjyqtarët akuzohen po ashtu për veprat penale shpërdorim të pozitës zyrtare dhe të autoritetit dhe për nxjerrjen e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme.

Përfaqësuesi i Ndërmarrjes Shoqërore dhe avokati akuzohen për veprat penale të ndihmës për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe të autoritetit dhe për ndihmë në nxjerrjen e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”.

Të gjithë të akuzuarit dyshohet se janë përfshirë në 15 lëndë civile që kanë të bëjnë me padi pronësore kundër ndërmarrjes shoqërore, të cilat ishin nën përgjegjësinë e Dhomës së Posaçme të Gjykatës së Lartë të Kosovës.

Nuk janë dhënë më shumë hollësi rreth identitetit të të akuzuarve dhe ndërmarrjes së përfshirë në këtë akuzë.

Ndërkohë, është bërë e ditur se një prokuror i EULEX-it ka ngritur aktakuzë në Gjykatën e Qarkut në Pejë, kundër ish-prokurorit të posaçëm dhe ish-udhëheqësit të Forcës kundër Korrupsionit në kuadër të Prokurorisë së Posaçme, Nazmi Mustafi, si dhe kundër tre personave të tjerë për vepra që kanë të bëjnë me korrupsion.

Zoti Mustafi akuzohet për veprat penale shpërdorim të pozitës zyrtare dhe të autoritetit dhe posedim të paligjshëm të armëve. Tre të akuzuarit e tjerë akuzohen për ndihmë në kryerjen e veprës, ushtrim të ndikimit dhe mashtrim.

Zoti Mustafi ishte arrestuar në prill të këtij viti duke nxitur reagime edhe të organizatave vendase e ndërkombëtare, të cilat thanë se kjo ngjarje ka rritur dyshimet e publikut se vetë politika është e përfshirë në afera korruptive si dhe ka nxitur zhgënjim dhe humbje te shpresave tek qytetarët e Kosovës për luftë kundër korrupsionit.

Po ashtu, shpesh është tërhequr vërejtja se lufta kundër kësaj dukurie është e pamjaftueshme. Zyrtarë të EULEX-it në një deklaratë me shkrim për Zërin e Amerikës thanë se “kur bëhet fjalë për luftën kundër korrupsionit, duhet pasur parasysh që ky mision merret vetëm me raste të profilit të lartë dhe jo me të gjitha rastet pasi që nuk është në mandat të misionit.

Aktualisht prokurorët e EULEX-it janë duke hetuar 62 raste të korrupsionit, ndërsa gjykatësit e këtij misioni deri tani kanë shqiptuar 33 aktgjykime në raste të tilla. Dy aktakuzat për raste korrupsioni të ngritura sot kundër individëve që janë pjesë të institucioneve të sundimit të ligjit dëshmon përkushtimin e EULEX-it në luftimin e korrupsionit”, thuhet në deklaratë.

Përfaqësues vendas e ndërkombëtarë kanë tërhequr vërejtjen se korrupsioni, në të gjitha format e tij, është bërë njëri prej kërcënimeve kryesore me të cilat përballet shoqëria e Kosovës, me gjithë shumësinë e mekanizmave që trajtojnë këtë çështje.
XS
SM
MD
LG