Lidhje

Kosovë: Ulet në 5 mijë e 500 numri i trupave të NATO-s


Kosovë: Ulet në 5 mijë e 500 numri i trupave të NATO-s
Kosovë: Ulet në 5 mijë e 500 numri i trupave të NATO-s

Që nga sot forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë do të kenë rreth 5 mijë e 500 trupa, duke i dhënë fund kështu shkurtimit të planifikuar të pranisë së tyre.

Komandanti i KFOR-it, Erhard Buhler, tha sot se shkurtimi i trupave paqeruajtëse të NATO-s pasqyron ngritjen e shkallës së sigurisë në vend. Gjatë një ligjërate në Universitetin e Prishtinës, ai tha se nuk ka plane për shkurtime të mëtejshme, ndërsa nënvizoi se shkalla aktuale e pranisë së KFOR-it është e mjaftueshme për të ruajtur një mjedis të sigurt. Sipas tij shkurtimi nuk është vetëm rezultat i gjendjes së mirë të sigurisë, por edhe ngritjes së mundësive të Policisë së Kosovës.

Ai po ashtu tha se veriu i Kosovës nuk është më vend i sigurt për ata që veprojnë jashtë ligjit, ndonëse pranoi që situata në atë pjesë të banuar me shumicë serbe është ndryshe nga pjesët tjera të Kosovës.

Gjenerali Buhler mohoi mundësinë që situata të tensionohet për shkak të bisedimeve të paralajmëruara ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, duke shprehur bindjen se bisedimet do të ndihmojnë uljen e tensioneve.

Prania e trupave të NATO-s ka ndryshuar nëpër vite. Në vitin 1999 në Kosovë u vendosën 50 mijë trupa paqeruajtëse, ndërsa shkurtimet e fundit e zbresin në pesë mijë e 500 numrin e ushtarëve të pranishëm në Kosovë.

Mbi 120 pjesëtarë të trupave të KFOR-it kanë humbur jetën në aksidente të ndryshme gjatë shërbimit në Kosovë, por nuk ka pasur asnjë rast të pësimit të ndonjë pjesëtari të këtyre forcave nga veprime armiqësore.

Forcat e NATO-s po kujdesen edhe për ngritjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës e cila do të numërojë 2500 pjesëtarë aktivë dhe 800 rezervë. Ngritja e kësaj force të cilën shqiptarë e shohin si bërthamë të ushtrisë së Kosovës, është kundërshtuar nga Beogradi, i cili vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës.

XS
SM
MD
LG