Lidhje

Kosova vlerëson personalitetin e Arbër Xhaferit


Udhëheqës të lartë politikë në Kosovë thonë se vdekja e Arbër Xhaferit është humbje për gjithë kombin shqiptar

Në Kosovë, udhëheqës të lartë politikë, shprehën ngushëllimet e tyre për vdekjen e politikanit Arbër Xhaferi, duke e vlerësuar atë si një nga personalitetet më të shquara të kombit shqiptar.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, duke ngushëlluar familjen e zotit Xhaferi thotë se “intelektuali dhe politikani Arbër Xhaferi ka dhënë një kontribut të çmuar në skenën politike shqiptare e sidomos në krijimin dhe udhëheqjen e politikës së shqiptarëve në Maqedoni. Vdekja e tij do të lë boshllëk të madh jo vetëm për ju si familjarë dhe për bashkëpunëtorët e tij në subjektin politik që e themeloi dhe me të cilin qëndroi i lidhur gjithë këto vite, por edhe për të gjithë ata që e njohën dhe e vlerësuan qëndrimin e tij politik”.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një telegram ngushëllimi dërguar familjes Xhaferi, thekson se “vdekja e hershme e Arbër Xhaferit është humbje e jashtëzakonshme për ju, familje Xhaferi, për botën shqiptare, për miqtë dhe të gjithë ata që e kanë njohur dhe kanë vepruar me të. Arbër Xhaferi ishte profil i lartë i politikanit, mendimtarit dhe vizionarit që la gjurmë të ndritur dhe kontribut të çmuar në jetën politike jo vetëm në Maqedoni, por edhe në tërë hapësirën shqiptare. Arbër Xhaferi shquhej për mprehtësinë politike, thellësinë intelektuale, transparencën e ideve dhe konceptimin global të çështjes shqiptare.

Arbër Xhaferi la gjurmë të thella në kuadër të lëvizjes së përgjithshme për çlirimin e shqiptarëve, duke artikuluar individualitetin e tij në parti politike, në krijimin e opinionit publik, në trajtimin analitik, sintetizues dhe vlerësues të pozitës së shqiptarëve në shekullin e kaluar dhe shekullin aktual. Me vdekjen e Arbër Xhaferit u shua një nga mendjet më të ndritur të qytetërimit shqiptar”
, thuhet në telegramin e kryeministrit Thaci.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, thekson se vdekja e zotit Xhaferi është humbje e madhe për mbarë kombin shqiptar.
Arbër Xhaferin e ka bërë të pavdekshëm veprimtaria e tij jetësore dhe trashëgimia e pasur atdhetare e politike që u ka lënë brezave. Ai do të kujtohet për guximin, sakrificën dhe mprehtësinë intelektuale, me të cilën i dha mençuri politikës shqiptare në plan mbarëkombëtar”, thuhet në telegramin e zotit Krasniqi.

Në telegramin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa thuhet se
“Arbër Xhaferi do të mbahet mend përherë për veprën e madhe në shërbim të kombit. Ai i dha frymë intelektuale dhe evropiane sjelljes politike të shqiptarëve në Maqedoni. Arbër Xhaferi ishte një nga politikanët më të shquar shqiptarë të dekadave të fundit. Ndarja e tij nga jeta, është humbje e madhe jo vetëm për njerëzit e tij të dashur, por për të gjithë shqiptarët kudo”.
XS
SM
MD
LG