Lidhje

Kosovë: Vetvendosje - Koalicioni pa marrëveshje

  • Leonat Shehu

Koalicioni ndërmjet Lidhjes Demokratike e Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën ka dështuar sërish të arrijë një marrëveshje me lëvizjen Vetëvendosje për të siguruar mbështetjen e kësaj të fundit në përpjekje për formimin e qeverisë së re.

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha sot se mosmarrëveshjet kanë të bëjnë me qasjen e Kosovës ndaj bisedimeve me Serbinë dhe politikat e privatizimit. Ai tha se deputetët e Vetvendosjes nuk do të votojnë pro koalicionit të tre partive, pa miratimin e këtyre parimeve në formë të shkruar.

“Përderisa e kemi këtë situatë, lëvizja Vetëvendosje nuk mund ta votojë dhe nuk do ta votojë propozimin, që do të dalë në parlamentin e Kosovës, në seancën e së enjtes, përkitazi me kryetarin e parlamentit. Pra, së pari ne duam një marrëveshje të plotë dhe së dyti vetëm kur realizohet kjo marrëveshje e plotë ne do të mund të kalojmë tek votimet e deputetëve tanë në Kuvendin e Republikës, përkatësisht në seancën konstituive”, tha zoti Kurti.

Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën janë regjistruar si një grup i vetëm parlamentar duke siguruar një grup prej 47 deputetësh. Duke llogaritur edhe në mbështetjen e lëvizjes Vetëvendosje, ata duan që të propozojnë kryetarin e parlamentit e pastaj të vazhdojnë përpjekjet për të formuar qeverinë duke e lënë jashtë Partinë Demokratike.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj tha se ende mund të arrihet një marrëveshje me lëvizjen Vetëvendosje, para mbledhjes së parë të parlamentit.

“Sot jemi takuar në bazë të marrëveshjes paraprake, kemi biseduar për një dokument që është marrëveshje e parimeve, por kuptohet edhe disa elemente të reja që kanë dalë sot. Ai dokumenti bazë që ka qenë edhe në publik nuk është një dokument që na ndanë. Disa elemente të reja kanë qenë më vështirë që të përfshihen sot. Ne do të kërkojmë ndihmë nga kolegët që kanë marrë pjesë në grupe punuese sot gjatë ditës, për mundësinë e tejkalimit të gjendjes së re të krijuar pra të elementeve të reja”, tha zoti Haradinaj.

Javën e kaluar, kryesia e Parlamentit të Kosovës, pa Partinë Demokratike, përcaktoi koalicionin ndërmjet Lidhjes Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, si grupin më të madh parlamentar. Sipas këtij vendimi në mbledhjen e parë të parlamentit të dalë nga zgjedhjet e parakohshme që do të mbahet më 17 korrik, ky grup ka të drejtën të propozojë kryetarin e Parlamentit.

Por, Partia Demokratike e Kosovës, e cila doli e para në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, duke fituar 37 vende, në parlamentin 120 vendesh, thotë se ajo mbetet grupi më i madh parlamentar dhe si e tillë ka të drejtën kushtetuese që të marrë postin e kryetarit të Parlamentit, sikurse edhe drejtimin e qeverisë së re.

LDK, AAK dhe Nisma për Kosovën së bashku me lëvizjen Vetëvendosje janë zotuar se nuk do t’i përgjigjen asnjë ftese të mundshme të Partisë Demokratike për formimin e qeverisë së re të Kosovës. PDK edhe në se i siguron të gjitha votat e pakicave kombëtare do të ketë nevojë për të paktën edhe 4 vota shtesë për të siguruar shumicën në parlament.

Por, kushtet e vendosura nga lëvizja Vetëvendosje e kanë vënë në pikëpyetje mundësinë e koalicionit.

Mbledhja e parë e parlamentit më 17 korrik, do të jetë sprova e parë për procesin e formimit të institucioneve të reja. Nëse nuk arrihet ndonjë zgjidhje vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja.

XS
SM
MD
LG