Lidhje

Prokuroria: veprimtari i "Vetëvendosjes" është vetëvrarë


Në Kosovë autoritetet thanë se veprimtari i lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari i cili vdiq më 5 nëntor në burgun e Prizrenit është vetëvrarë, ndërsa lëvizja shprehë mosbesimin në përfundimet e paraqitura nga prokurori i shtetit.

Astrit Dehari, 26 vjeçar, vdiq në burgun e Prizrenit ku po mbahej për më shumë se dy muaj nën dyshimet për përfshirje në një sulm mbi parlamentin e Kosovës në fillim të muajit gusht.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, tha të premten se "nga raporti i autopsisë rezulton se vdekja e të ndjerit Astrit Dehari ka ardhur si pasojë e asfiksisë mekanike (mbyllja ose bllokimi i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes), si pasojë e dëmtimeve të vetshkaktuara, të cilat kanë qenë të shoqëruara me gjakderdhje të jashtme".

Prokurori Hoxha tha se janë kontrolluar videopamjet nga burgu dhe janë marrë në pyetje 17 veta, por nuk asnjë dyshim të mundshëm për ndonjë përleshje fizike apo probleme në mes të paraburgosurve dhe oficerëve me tani të ndjerin Astrit Dehari dhe se "të gjitha provat dhe ekzaminimet e kryera gjatë procesit hetimor demonstrojnë se ky rast ishte vetëvrasje".

Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se raporti dhe përfundimi për shkaktarin e vdekjes së veprimtarit janë të pabesueshëm, ndërsa theksoi se do të duhen edhe disa ditë që Dr. Besim Ymaj e Dr. Besim Latifaj, të dy ekspertë të pavarur të angazhuar nga familja e të ndjerit, "ta analizojnë këtë Raport të Autopsisë dhe ta thonë mendimin e tyre, bazuar edhe në shënimet e tyre të vëzhgimit të obduksionit".

Lëvizja Vetëvendosje fajëson institucionet e shtetit për vdekjene Astrit Deharit, i cili qe arrestuar së bashku me pesë anëtarë tjerë të lëvizjes Vetëvendosje.

Arrestimet pasuan një sulm mbi ndërtesën e parlamentit të Kosovës, i cili krye në një periudhë tensionesh të larta politike të nxitura nga mospajtimet rreth marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi, por edhe asaj të arritur me Serbinë, që u jep më shumë autonomi komunave me shumicë serbe.

XS
SM
MD
LG