Lidhje

AI dënon “forcën e tepruar” të policisë në Prishtinë


Amnesty International u bëri thirrje autoriteteve në Kosovë të hetojnë veprimet e policisë gjatë protestave të lëvizjes Vetëvendosje


Organizata për të drejtat e njeriut “Amnesty International” dënoi sic është thënë “përdorimin e tepruar të forcës” nga policia e Kosovës në protestën e së hënës të lëvizjes Vetëvendosje, kundër takimit të kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë Hashim Thaçi e Ivica Daçiç.

Kjo organizatë u bëri thirrje autoriteteve që të kryejnë “hetime të plota dhe të paanshme” të veprimeve të disa pjesëtarëve të policisë. “Nëse ekzistojnë prova të mjaftueshme se policët e Kosovës kanë përdorur forcë të tepruar, e cila mund të cilësohet si torturë apo keqtrajtim, ata duhet të jenë subjekte të ndjekjeve disiplinore apo edhe penale”, thuhet në deklaratën e kësaj organizate.

Dhjetëra protestues dhe pjesëtarë të policisë u lënduan gjatë përleshjeve të së hënës, kur veprimtarët e lëvizjes Vetëvendosje u hodhën në protesta kundër bisedimeve me Serbinë. Gjatë protestës një shtetase gjermane është gjetur në gjendje të rëndë dhe aktualisht është në gjendje kome në spitalin e Prishtinës.

Mbi 60 veta u ndaluan gjatë protestës dhe sipas Amnesty International, “arrestimet kanë përfshirë edhe kalimtarë të rastit”.

Lëvizja Vetëvendosje akuzoi policinë për dhunë ndaj protestuesve por edhe ndaj të arrestuarve gjatë mbajtjes së tyre në mjediset e policisë.

Policia mohon njoftimet për dhunë, ndërsa autoritetet janë zotuar të hetojnë çdo rast të mundshëm të “tejkalimit të autorizimeve” nga pjesëtarët e njësisë së posaçme që ishte angazhuar në shpërndarjen e protestave.

Lëvizja vetëvendosje kundërshton bisedimet me Serbinë, të cilat sipas saj dëmtojnë interesat e Kosovës. Por, qeveria e cila mori edhe mbështetjen e parlamentit, thekson se bisedimet janë të domosdoshme për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që është një nga kushtet për përfshirje të proceset integruese evropiane.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG