Lidhje

Përurohet terminali i ri i Aeroportit të Prishtinës


Në ceremoninë e përurimit morën pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe ai i Turqisë, Recep Tayip Erdogan

Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha sot në Prishtinë se bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të ndikojnë në vendosjen e paqes dhe sigurisë në rajon dhe Ballkani do të shndërrohet në truall të miqësisë e vëllazërisë.

Aeroporti i Prishtines
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:47 0:00

Ai i bëri këto komente gjatë ceremonisë së përurimit të terminalit të ri të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, që mban emrin Adem Jashari, në kujtim të komandantit të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në ceremoni mori pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

Terminali i ri me mbi 42 mijë metra katrorë është vepër e konsorciumit franko turk "Limak-Aeroport de Lyon", që në vitin 2010 mori me koncesion për 20 vjet Aeroportin e Prishtinës, që është i vetmi aeroport për fluturime civile në Kosovë.

Sipas marrëveshjes, kompania ishte pajtuar të investojë mbi 100 milion euro, të ndërtojë edhe një terminal të ri të udhëtarëve ndërsa qeverisë së vendit t’i paguajë mesatarisht rreth 40 për qind të të ardhurave.

Kryeministri turk e vlerësoi projektin e përuruar sot si një vepër të madhe, ndërsa u zotua të mbështesë Kosovën, duke shprehur bindjen se ajo do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Ai tha se rajoni i Ballkanit duhet të jetë truall i paqes dhe sigurisë.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të kenë ndikim të fuqishëm në vendosjen e paqes dhe sigurisë në rajon”, të cilës tha ai Turqia i kushton rëndësi të veçantë. “Me udhëheqje të përgjegjshme vendet e Ballkanit do të jenë tokë e paqes, miqësisë e vëllazërisë”, tha ai.

Ndërkaq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se Kosova me zhvillimin e saj po bëhet një shembull admirues për gjithë rajonin, ndërsa e vlerësoi lartë përmbylljen e projektit të ri në aeroportin e Prishtinës, Adem Jashari.

Nuk mund të kishte emër më të goditur për aeroportin e pas çlirimit të Kosovës se sa emri i njeriut që i dha krahë me jetën e vdekjen e tij, ëndrrës së Kosovës së lirë e shtet të lirë e evropian, në mes të Evropës”, tha kryeministri Rama.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Kosova çdo ditë e më tepër po bëhet një vend konkurrent në botën moderne.

Këtë infrastrukturë moderne, këtë investim publiko privat, që arrin vlerën në mbi 100 milion euro ta shndërrojmë në një mundësi të re të lidhjes së Kosovës me botën. Kosova është gati për botën por edhe bota i ka hapur dyert për Republikën e Kosovës në mënyrë meritore. Pra, ta shndërrojmë Kosovën në një pikë lidere dhe qendër rajonale të aviacionit dhe jo vetëm kaq”, tha Thaçi.

Brenda vitit nëpërmjet aeroportit të Prishtinës udhëtojnë mbi 1 milion e 200 mijë udhëtarë, duke e bërë atë një prej aeroporteve më të ngarkuara në Ballkan. Ky aeroport para pak vitesh u është dorëzuar nën mbikëqyrje autoriteteve të vendit, pas një periudhe disa vjeçare të kontrollit nga forcat paqeruajtëse të NATO-s.

Autoritetet thonë se nga viti në vit numri i udhëtarëve është rritur, por jo edhe mundësitë e tij për të ofruar shkallën e duhur të shërbimeve apo për të rritur fitimet e tij dhe kjo ishte ndër arsye kryesore të dhënies më koncesion të tij. Terminali i ri krijon hapësirë për pesë milion udhëtar në vit.
XS
SM
MD
LG