Lidhje

Lulzim Basha - qytetar nderi i Prishtinës


Çmimi për zotin Basha ishte pjesë e manifestimeve me rastin e 14 vjetorit te çlirimit të Prishtinës.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, mori sot çmimin “Qytetar nderi i Komunës së Prishtinës”. Çmimi ishte pjesë e manifesteve që po mbahen në Prishtinë me rastin e 11 qershorit që kryeqyteti i Kosovës e shënon si ditën e çlirimit nga forcat serbe 14 vjet më parë.

Në arsyetimin e vendimit të saj, komuna e Prishtinës thekson se “zoti Basha ka reflektuar përkushtim dhe përkrahje të pareshtur gjatë procesit të Pavarësisë dhe ndërtimit demokratik të Kosovës, sidomos në periudhën e pasluftës, kur ai qëndroi dhe punoi një kohë të gjatë në Kosovë dhe në Prishtinë. Ka qenë dhe është përkrahës i integrimeve evropiane të Kosovës dhe i njohjes së saj nga shumë shtete në Evropë dhe në botë”.

Zoti Basha tha se ka ardhur koha e kombit shqiptar që të ulet institucionalisht në tryezën evropiane, por për ketë duhet punë e përbashkët e të gjithëve si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.

Tirana po ndryshon dhe segment pas segmenti po kthehen në një qytet modern dhe evropian, dhe kështu e shoh e ndjej dhe e prek se po ndodhë edhe në Prishtinë. Ne po integrojmë me sukses kulturën tonë të lashtë dhe shumë të veçantë më trendin kozmopolit të kohërave globale që po jetojmë", tha ai në një ceremoni të posaçme të organizuar për nderë të ditës së Prishtinës.

Kosova shënon sivjet 14 vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s të cilat u dhanë fund luftës gati dy vjeçare ndërmjet forcave serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
XS
SM
MD
LG