Lidhje

Bushati: Muri në veriun e Kosovës dëmton aspiratat evropiane


Ditmir Bushati
Ditmir Bushati

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati tha të martën se në kuadër të procesit të Berlinit, Kosova ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për zgjidhjen e problemeve me Serbinë dhe krijimin e një klime mirëbesimi për bashkëpunimin rajonal.

Ai i bëri këto komente në Prishtinë, në kuadër të konferencës së katërt të Ambasadorëve të Republikës së Kosovës.

Zoti Bushati tha se ai nuk mund të jetë "naiv" dhe të pretendojë se procesi i Berlinit ka arritur t’i shkrijë proceset e ngrira demokratizuese dhe shtet-ndërtuese të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

“Në veri të Kosovës, për fat të keq shohim ngritjen e mureve të reja ndarëse, me çka dëmton aspiratat evropiane, stabilitetin e rajonit dhe bie ndesh me interesat tona afatgjata. Ne jemi të bindur se në kohën të cilën jetojmë e ardhmja shkon drejt ndërlidhshmërisë. Njohja sa më parë e pavarësisë së Kosovës nga Serbia është me rëndësi për stabilitetin dhe për integrimin evropian për dy shtetet”, tha zoti Bushati

Zoti Bushati tha se në mbështetje të bisedimeve në mes Kosovës dhe Serbisë, ai do të kërkojë nga Serbia që të respektojë marrëveshjet e arritura, të mos pengojë pjesëmarrjen e Kosovës në organizata rajonale dhe të inkurajojë komunitetin serb që të marrë pjesë në institucionet e ligjshme të saj.

Ministri Bushati duke folur për zgjedhjet e fundit në Maqedoni tha se rreziku i ngrirjes së proceseve demokratizuese dhe shtetndërtuese nuk ndihet më shumë se sa në Maqedoni. Ai tha se vota e fundit e shqiptarëve të Maqedonisë duhet lexuar si një mesazh edhe për Shqipërinë edhe për Kosovën, që sipas tij tregon hapur ndryshimin e ri të shqiptarëve përtej ndasive etnike.

“Konteksti më i gjerë rajonal kërkon që Shqipëria dhe Kosova të mbështesin çdo përpjekje që do të sillte qeverinë e re në Maqedoni, më pranë interesave të shqiptarëve të Maqedonisë, më pranë perëndimit, më pranë stabilitetit demokratik, më pranë fqinjësisë së mirë”, tha ai.

“Ne kemi kërkuar nga partitë politike shqiptare në Maqedoni kapërcimin e një liste çështjesh në interes të veçantë kombëtar në përputhje me marrëveshjen e papërmbushur të Ohrit dhe në Kushtetutën e Maqedonisë”, tha zoti Bushati duke nënvizuar kjo jep shpresë se shqiptarët mund të bëhen faktor qëndrueshmërie në vendin ku ata jetojnë.

XS
SM
MD
LG