Lidhje

Kosova uron Shqipërinë


Në Kosovë, autoritetet më të larta përgëzuan Shqipërinë për marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.


Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga në urimin e saj drejtuar Presidentit të Shqipërisë Bujar Nishani, thekson se ky vendim i Këshillit Evropian “është kurorëzim i punës dhe përkushtimit të vazhdueshëm të institucioneve dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë për të përmbushur standardet më të larta evropiane që garantojnë shtetin e së drejtës, zhvillimin ekonomik, forcimin e demokracisë duke e bërë Shqipërinë vend të barabartë me shtetet më të avancuara të Evropës”.
Ky hap i rëndësishëm në agjendën integruese të Shqipërisë dërgon mesazh të qartë për të ardhmen evropiane për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor që aspirojnë anëtarësimin e plotë në familjen e vlerave evropiane”, thuhet në urimin e presidentes Jahjaga.

Kryetari në largim i parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, thekson në urimin e tij drejtuar kryetarit të parlamentit shqiptar, Ilir Meta se “Bashkimi Evropian është dhe mbetet aspirata parësore e shqiptarëve kudo që janë”.

Ndërsa kryeministri në detyrë Hashim Thaçi u bënë jehonë rilindësve shqiptar dhe luftëtarëve për pavarësinë e Shqipërisë në orientimin pro perëndimor të shqiptarëve.

Edhe drejtuesit e partive politike e vlerësuan si lajm shumë të mirë, jo vetëm për Shqipërinë por gjithë shqiptarët kudo që janë vendimin e sotëm të Bashkimit Evropian për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat.

Në të gjitha urimet shfaqet shpresa edhe për përshpejtimin e afrimit të Kosovës me strukturat e Bashkimit Evropian.

Kosova është prapa të gjitha vendeve të Evropës Juglindore në proceset integruese dhe shteti i vetëm, qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë pa viza në vendet e Bashkimit Evropian. Ajo mori udhërrëfyesin për këtë çështje në qershor të vitit 2012, por ende duket larg këtij procesi.

Në fillim të muajit maj Kosova përmbylli negociatat për marrëveshjen e stabizilim asocimit që pritet të nënshkruhet gjatë verës së këtij viti. Negociatat për këtë marrëveshje filluan në tetor të vitit 2013 dhe ato u siguruan pas angazhimit të Kosovës në bisedimet me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve. Serbia nga ana tjetër, hapi negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian në janar të këtij viti.

Në të gjitha proceset Kosova përballet me sfidën që paraqet fakti që edhe më tej pesë nga 28 vendet anëtare të Bashkimit Evropian nuk e kanë njohur pavarësinë e saj.
XS
SM
MD
LG