Lidhje

Thaçi: Gjykata e posaçme – çmim i lartë por duhet të krijohet


Shefi i diplomacisë së Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Shqipërisë Ditmir Bushati thanë se gjykata e posaçme për krime lufte është mundësi për të hequr retë e zeza mbi Kosovën

Ministri i jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati dhe ai i Kosovës, Hashim Thaçi, thanë të premten se Gjykata e posaçme për krime lufte në Kosovë, nuk duhet të ngatërrohet me luftën çlirimtare të popullit të Kosovës. Ata i bënë këto komente pas takimeve që ministri Bushati zhvilloi me udhëheqësit politik të Kosovës në të cilat është diskutuar edhe për mbledhjen e përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, që do të mbahet më 23 mars në Tiranë.

Një ekip punues i institucioneve të Kosovës është duke u marrë me ligjin për gjykatën e posaçme dhe amendamentet kushtetuese që duhet t’i paraprijnë kësaj gjykate e cila do të trajtojë pretendimet për krime lufte të ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Opozita ka kritikuar udhëheqësit e vendit për mungesë të transparencës rreth procesit të ngritjes së gjykatës, për themelimin e së cilës ata e bëjnë përgjegjës qeverinë dhe Partinë Demokratike të Kosovës.

Ministri Thaçi tha se gjykata ishte e panevojshme dhe një çmim për Kosovën, por ajo është pajtuar me të për të ruajtur partneritetin ndërkombëtar. Ai tha se çështja nuk duhet të shfrytëzohet nga askush për qëllime të brendshme politike dhe se të gjitha partitë e institucionet, duhet të jenë të kujdesshme dhe të vlerësojnë nëse është më mirë që vendimin për gjykatën ta merr parlamenti i Kosovës, apo çështja të shkojë në Këshillin e Sigurimit.

Nëse kjo çështje shkon në Këshillin e Sigurimit atëherë do të hapeshin tema tjera të cilat do të jenë shumë të vështira për t'i kaluar si Kosovë dhe që do të mund të zgjasnin jo për 3 - 5 vjet, por deri në 20 vjet. Ne nuk mund të jetojmë në këtë re të zezë mbi kokat tona, mbi vendin tonë, mbi qytetarët tanë, mbi të ardhmen tonë, prandaj ne duhet ta përmbyllim sa më shpejt që është e mundur. Unë kam besim të plotë se qeveria e Kosovës në ditët e ardhshme, për çka edhe jemi duke punuar, do të marr vendimin e drejtë që të themelohet kjo gjykatë. Ndërsa, sa i përket opinioneve të ndryshme, unë i respektoj plotësisht, por nuk dëshiroj që asnjë opinion në në Kosovë të përputhet me opinionin e Dick Martyt”, tha ministri Thaçi.

Ndërsa ministri Bushati vuri theksin tek karakteri çlirimtar i luftës së popullit të Kosovës.

Nuk duhet në asnjë lloj rrethane të ngatërrojmë luftën e drejtë çlirimtare të popullit të Kosovës me ngritjen e këtij tribunali. Ndoshta mund të jetë edhe një mundësi për të shuar çdo lloj hije dyshimi, apo spekulimi që është ngritur edhe në të kaluarën”, tha ministri Bushati.

Në prill të vitit të kaluar, parlamenti i Kosovës me 89 vota për e 22 kundër, miratoi themelimin e gjykatës së posaçme. Ideja për themelimin e saj pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dikc Marty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës. Në dhjetor të vitit të kaluar amerikani David Schwendiman, është emëruar në postin e kryeprokurorit të Grupit Hetues të Bashkimit Evropian, për hetimin e këtyre pretendimeve, duke pasuar në këtë post prokurorin amerikan, Clint Williamson, i cili u tërhoq në gusht të vitit të kaluar nga kjo detyrë.

Në fund të muajit korrik të vitit 2014, prokurori Williamson tha se zyrtarë të lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të përballen me akuza për krime kundër njerëzimit.

Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës në Kosovë. Ministri Thaçi tha sërish të premten se Kosova do të padisë Serbinë për gjenocid.

Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, sepse dhuna dhe spastrimi etnik ka qenë i dirigjuar drejtpërdrejt nga shteti i Serbisë. Se kur do të ndodhë kjo, do të gjejmë momentin më të përshtatshëm. E kjo çështje e ushtrimit të gjenocidit në Kosovë, nuk vjetërsohet. Prandaj, në momentin që krijohen rrethanat e përshtatshme legale për Kosovën si shtet, ne do ta ngrisim këtë çështje. Me rëndësi është që kemi filluar në mënyrën serioze të përgatitemi për këtë çështje”, tha ministri Thaçi.

Serbia e cila ditë më parë doli nga një proces i gjatë me Kroacinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ku ishin bërë akuza të ndërsjella për gjenocid, u shpreh e zemëruar me paralajmërimet e ministrit Thaçi. Zyrtarë serbë thanë se nuk mund të shkojnë së bashku edhe bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë edhe padia e mundshme për gjenocid. Madje ata thanë se kjo është përpjekje për të “fshehur krimet e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Kosova doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur. Një pjesë e madhe e trupave u gjetën në varreza masive ne Serbi ku ishin dërguar nga forcat serbe në përpjekje për të fshehur gjurmët e mizorive të tyre. Varreza më e madhe është zbuluar në vitin 2001, në Batajnicë afër Beogradit, ku në terrenet e stërvitjeve të forcave të posaçme serbe u gjetën trupat e 800 shqiptarëve të Kosovës. Edhe më tej nuk dihet asgjë për fatin e 1 mijë 659 personave, pjesa më e madhe të përkatësisë kombëtare shqiptare.

XS
SM
MD
LG