Lidhje

Kurti: Bashkimi me Shqipërinë – nuk çon në luftë ballkanike


Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, thotë se bisedimet me Serbinë do t’i zëvendësonte me bisedimet me serbët e Kosovës dhe me Tiranën.

Më tetë qershor në Kosovë mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Rreth 30 subjekte politike të të gjitha komuniteteve janë regjistruar për të marrë pjesë në këto zgjedhje. Zëri Amerikës ka filluar një seri intervistash me udhëheqësit e disa prej partive politike. Në një intervistë me korrespondentin tonë në Prishtinë, Besim Abazi, kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, thotë se nëse del fitues bisedimet me Serbinë do t’i zëvendësojë me bisedimet me serbët e Kosovës dhe me Tiranën.

Zëri i Amerikës: Zoti Kurti, kanë mbetur pak ditë deri në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Çfarë prisni nga këto zgjedhje?

Albin Kurti: Po, pres të jenë zgjedhje të lira, demokratike, dmth, zgjedhje në të cilat qytetarët do të mund të shfrytëzojnë mundësinë për të shprehur vullnetin e tyre, ta ushtrojnë të drejtën e tyre për vullnetin e tyre. Dhe në të njëjtën kohë Vetëvendosja i ka ndërmarrë të gjitha masat që me komisionarët dhe vëzhguesit me datën 8 qershor ta mbrojë vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe të mos lejojë që çka do qoftë që është e ngjashme me zgjedhjet e fundit parlamentare, përkatësisht në dhjetorin e vitit 2010, të na përsëritet sërish. Shteti i dobët i Kosovës nuk i mban dot edhe një palë zgjedhje të tilla që u quajtën në mënyrë të popullarizuar si vjedhje industriale.

Zëri i Amerikës: Ju synoni të merrni pushtetin, natyrisht, sikurse edhe të gjitha partitë tjera politike. Përse do të duhej qytetari i Kosovës të vendoste te votonte pikërisht për ju?

Albin Kurti: Vetëvendosja është dëshmuar që është opozitë e vërtetë në Kuvendin e Republikës, është dëshmuar që është edhe pushtet i pakorruptueshëm në komunën e Prishtinës dhe mbi të gjitha e kemi konceptin e drejtë të Vetëvendosjes, i cili së fundi është elaboruar në alternativë qeverisëse. Ne e kemi publikuar atë që në shtatorin e vitit të kaluar dhe ku i kemi bërë bashkë, në kuadër të shtetit republikan, shtetin e së drejtës, shtetin zhvillimor dhe shtetin social. Pra, ne i lidhim me njëra tjetrën drejtësinë shtetërore, ekonominë prodhuese dhe barazinë shoqërore. Besoj se qytetarët e Kosovës e kanë një alternativë të vërtetë më 8 qershor, kur do të duhej të votojnë për ndryshimin, meqenëse me tatim dhjetë për qind, me investime vetëm në asfaltin e autostradave, me punësime sipas mbiemrit, pra sipas farefisnisë, shtetin tonë e ka pllakosur mjerimi social, stagnimi ekonomik e kështu me radhë. Pra, ka nevojë për ndryshime dhe unë jam i bindur se kësaj radhe emri i ndryshimit është Vetëvendosje.

Zëri i Amerikës: Por, edhe partitë tjera politike kanë projekte për të nxjerrë vendi nga kjo gjendje që e përshkruat ju, madje ka oferta për qindra mijëra vende pune. Ju çfarë konkretisht i ofroni qytetarit, cili është motivi me të cilin do ta nxisni të dalë në votime dhe të votojë për ju?

Albin Kurti: Ne orientohemi tek punësimi në prodhim, pra ri industrializimi i vendit dhe investimet e shtuara në bujqësi, me ç’rast ne mendojmë se investimet e shtuara në bujqësi do të zvogëlojnë importet, do të rrisin eksportin dhe nuk do të lëmë asnjë pëllëmbë të tokës së Kosovës që të mbetet djerrë, e papunuar. Më tutje, TVSH-ja, prej së cilës do ta përjashtojmë miellin, bukën, vajin, sheqerin, kripën, qumështin. Dhe kur kjo kombinohet me tatimin progresiv, me ç’rast të gjithë ata që i kanë pagat deri në 170 euro, nuk paguajnë tatim fare, prej 170 deri në 500 euro, paguajnë vetëm pesë për qind, prej 500 – 850 paguajnë 10 për qind, prej 850 – 1 mijë e 700 euro paguajnë 20 për qind për këtë pjesën mbi 850 euro. Dhe ata me paga të larta mbi 1700 euro, paguajnë 30 për qind tatim për pjesën mbi 1 mijë e 700 euro. Pra, edhe rritje ekonomike edhe politika sociale e fiskale për zbutjen e pabarazisë, por edhe luftim i evazionit fiskal. Pra, ne nuk do të bëjmë kompromis me korrupsionin. Qeverisjet e mëhershme ku kanë qenë këto partitë tjera, nganjëherë dy nga dy e njëherë kanë qenë të tria bashkë, kanë bërë pakt të heshtjes, për të mos thënë diçka edhe më shumë me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Me lëvizjen Vetëvendosje në qeverisje, unë garantoj se nuk do të zmbrapsemi para asnjë krimi, para asnjë të korruptuari, përkundrazi, forca e ligjit e drejtësia e shtetit do t’i kap të gjithë ata. Nuk kemi llogari që Republika e Kosovës të dergjet edhe më tutje nga ky korrupsion i cili na vë neve nëpër lista të frikshme nga organizata ndërkombëtare, të pllakosemi me këtë mjerim që përbëhet prej varfërisë dhe papunësisë së madhe. Dhe me Vetëvendosjen në qeverisje, ne do të bëjmë gjithçka që t’i eliminojmë azilkërkuesit kosovar që përfundojnë nëpër kampe të Hungarisë e nëpër shatorra të Francës. Pesëmbëdhjetë pas çlirimit, kjo është e padurueshme.

Zëri i Amerikës: Rimëkëmbja ekonomike e Kosovës është thënë se mbështetet edhe në procesin e privatizimit, një proces që ju e keni kritikuar shumë ashpër. Si do të duket ky proces nëse ju vini në pushtet?

Albin Kurti: Është e vërtetë që 60 valë të privatizimit që i kemi pasur në Kosovë, na e kanë djegur industrinë. Jo gjithçka do të mund ta revidojmë. Mirëpo, ne do t’i rishqyrtojmë rastet e privatizimit një nga një dhe aty ku ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut, shkelje të ligjit, shkelje të procedurave, konflikt interesi, ose dëmtim të interesit të përgjithshëm dhe ku kostoja e revidimit nuk është më e madhe sesa vazhdimi i mëtutjeshëm, ne një nga një këto raste do t’i shqyrtojmë me kujdes dhe do t’i korrigjojmë. Por, para çdo privatizimi të mëtutjeshëm, kushdo që e ngritë një temë të tillë, barra e provës për privatizim i bie atij që synon privatizimin ose që avokon privatizimin, e jo neve që dëshirojmë që republika jonë, në rrënjë të së cilës është fjala publike, ta forcojmë të përbashkëtën, shtetin, shoqërinë, publikun, qytetarinë e kështu me radhë. Pra, do të jemi të kujdesshëm që gjithmonë të trajtojmë se çka të privatizohet, kur të privatizohet, sa të privatizohet, si të privatizohet dhe kujt i shitet. Pra, besoj që shteti mund të mos jetë aq i mirë si menaxher, por shteti si pronar është dëshmuar mjaft e mire. Pra, në fushën e menaxhmentit, ne do të mund të blejmë edhe menaxhment të huaj. Por, nëse ka korrupsion në menaxhment do ta eliminojmë menaxherin e korruptuar e nuk do ta shesim asetin publik.

Zëri i Amerikës: Por, të kërkosh sot që shteti të jetë pronari i ndërmarrjeve, a nuk bie ndesh me ekonominë e lirë të tregut, që është njëfarë synimi, një orientim i Kosovës?

Albin Kurti: Unë besoj se shteti është parakusht për konkurrencë fer. Nuk janë konkurrenca dhe shteti në kundërshtim me njëri tjetrin, përkundrazi. Aty ku ka konkurrencë pa shtet, përfundon në monopole, duopole ose oligopole. Pikërisht shteti e mirëmban konkurrencën me sundimin e ligjit dhe këtë do ta bëjë edhe lëvizja Vetëvendosje. Dorën në zemër nuk mund ta fusësh në ring të boksit një djalosh dhjetëvjeçar dhe Mike Tysonin se dihet rezultati. Pra, bujqit tanë, ndërmarrësit tanë, duhet të ngrihen, të bëhen të aftë për konkurrencë edhe brenda vendit edhe jashtë vendit, Për këtë qëllim ne shohim edhe një rol të theksuar të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila nuk do të jetë njëfarë mbikëqyrësi pasiv, por rregullator aktiv dhe në të njëjtën kohë të kemi një bankë zhvillimore dhe për eksport e më pas edhe një bankë publike, ashtu që në mandatin qeverisës të lëvizjes Vetëvendosje, kamatat të bien nën 5 për qind e afatet të shkojnë për mbi 20 vjet si dhe shumat kreditore të rriten. Edhe për të moshuarit, ne mendojmë që duhet të kemi sistem pensional, solidaritet midis gjeneratave. Dhe duke e rritur kontributin pensional prej 5 për qind plus 5 për qind, në 8 për qind plus 8 për qind, do të arrijmë që në fund të mandatit tonë qeverisës, pensioni minimal bazik të jetë 150 euro e ai kontribut dhënës të jetë 280 euro.

Zëri i Amerikës: Më lejoni të kthehem tek roli i shtetit në ndërmarrje. Po të shpreheshim në përqindje, sa e shihni atë rol?

Albin Kurti: Nuk mund të them tash, por po e marr një shembull në Gjermani, ku shteti është pronar i 27 për qind të aksioneve të “Deutsche telekomit”, dhe është kryesori. Pra është më shumë se çereku dhe është kryesori. Gjermania është shtet shumë i fuqishëm. Ne jemi shtete shumë i dobët dhe mendoj që çdo herë kur vijnë korporatat tepër të fuqishme, që janë më të forta se shteti jonë, aty nuk po ka më as ekonomi të tregut. Aty thjeshtë po mbretëron ligji i xhunglës, ku gjithmonë i dobëti e pëson. Pra, ne duam që shteti të mos e dirigjojë ekonominë, të mos e kontrollojë ekonominë, të mos e centralizojë ekonominë, por në të njëjtën kohë edhe të mos jetë spektator. Të jetë nxitës, inkurajues pra, të jetë orientues ashtu qysh është në vendet skandinave, ashtu qysh janë zhvilluar shumica e shteteve të botës ne fillet e tyre. Edhe SHBA e kanë pasur modelin e shtetit zhvillimor deri në vitin 1980, para se të vijë në pushtet presidenti Reagan dhe tash me presidentin Obama, sërish e kanë shtetin zhvillimor. Koreja e jugut, Gjermania, Franca, gjithmonë këto shtete kanë qenë shtete zhvillimore. Pra ne duam të integrohemi në ekonominë perëndimore, në BE. Nuk jemi kundër tregut të lirë, por para së gjithash për sundim të ligjit dhe për një shtet aktiv i cili, po them edhe njëherë, orienton e ndërmjetëson, por nuk kontrollon, nuk dirigjon.

Zëri i Amerikës: Zoti Kurti, nëse vini në pushtet ju do të trashëgoni procese politike që janë tashmë të hapura, përshirë edhe procesin e bisedimeve me Serbinë, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, të ndërmjetësuara nga BE. Çfarë do të ndodhë me këto bisedime nëse ju behni, siç pretendoni, kryeministër i vendit?

Albin Kurti: Këto kanë qenë negociata pa parime për çështje të brendshme të Kosovës, pa kushte për Serbinë. Bisedimet me Serbinë ne do t’i zëvendësojmë me tri lloj bisedimesh të tjera. Nuk do të bëjmë bisedime me Serbinë, Do t’i vëmë kushte asaj: njohjen e Kosovës, heqjen e Kosovës nga kushtetuta e Serbisë, kërkim faljen dhe dëmshpërblimet e luftës etj. Ndërsa, tri lloje bisedimesh tjera që do t’i bëjmë janë: me Brukselin për ta transformuar EULEX-in në Kosovë nga një mision që është me fuqi ekzekutive këtu, në një mision i cili na ndihmon të zhvillohemi; bisedime me Tiranën për t’u afruar dhe integruar sa më shumë Kosova me Shqipërinë; dhe bisedime me serbët e Kosovës si qytetarë të republikës në rolin e tyre shoqëror me të drejtat e njeriut dhe të drejtat e pakicave. Pra, besoj që Kosova për t’u bërë me tamam republikë, ka nevojë që në vend të negociatave me Serbinë, të ketë bisedime me Brukselin, bisedime me Tiranën dhe bisedime me serbët e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Por, duke pasur parasysh ndikimin e Beogradit mbi serbët e Kosovës, si të përjashtohet Serbia në një rast të tillë?

Albin Kurti: Serbët të cilët nuk kanë fare lidhje me strukturat paralele të Serbisë, me ta bisedimet mund të fillojnë menjëherë. Ka serb që vetëm përfitojnë prej strukturave të Serbisë, por nuk marrin pjesë aktive. Ka mandej edhe serb që marrin pjesë në strukturat e Serbisë në arsim, kulturë, shëndetësi. Dhe janë serbët e strukturave paralele të sigurisë së Serbisë, që kontrollohen drejtpërdrejtë nga (Aleksandër) Vuçiçi, e deri dje nga (Ivica) Daçiçi dhe me këta nuk mund të ketë bisedime, por duhet t’i bëjmë kallëzimet penale dhe këta do të duhej të arrestoheshin ose të ikin për në Serbi, Pra, janë diku 300– 400 veta me të cilët nuk mund të ketë fare bisedime. Po me serbët e tjerë mendoj se është e mundshme, sepse, nuk janë trajtuar realisht si qytetarë të republikës. Ne besojmë se integrimi i serbëve në Kosovë, nuk vjen duke i integruar politikanët e tyre me privilegje në institucione, por integrimi i serbëve në shoqërinë kosovare nëpërmjet barazisë, zhvillimit ekonomik etj. Po ta kishim rivitalizimin e Trepçës ta zëmë, ose po ta kishim një fabrikë të ujit në Mitrovicë, ku ujin e marrim nga veriu e shishen nga jugu, aty punojnë shqiptarë, serbë, kanë çfarë të humbin e çfarë të fitojnë, komunikojnë, bashkëpunojnë dhe unë jam plotësisht i bindur që kjo është e mundshme dhe ne do ta realizojmë.

Zëri i Amerikës: Një palë bisedime i vendosët me Tiranën për t’u afruar në rrugën e integrimeve. Ende ngulni këmbë në nevojën e bashkimit kombëtar?

Albin Kurti: Ne besojmë që Kosova do të jetë shtet plotësisht sovran me të drejtën që të bashkohet me Shqipërinë. Natyrisht që duhet të bisedojmë me qeverinë në Tiranë për këtë. Pengesë e kemi nenin 1.3 të kushtetutës që na e ndalon bashkimin me një shtet tjetër. Kufiri midis Kosovës dhe Shqipërisë nuk është kufi i shqiptarëve, është kufi i Jugosllavisë dhe Serbisë. Dhe mendoj që nuk duhet të hezitojmë ta themi hapur këtë gjë. Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë unë nuk e shoh si diçka që shkakton luftën e tretë ballkanike. Por, në mënyrë paqësore dhe demokratike, pra me referendum, me bashkëpunimin e dy qeverive, ne do të mund të banim këtë. Jo për inat të të tjerëve, por gjithsesi për të mirën tonë. Bëhemi treg më i madh, i kombinojmë resurset njerëzore, pasuritë natyrore e kështu me radhë. Besoj që demokracia do të jetë shumë me e fuqishme atëherë kur të jetë më një popullsi lë te themi gati shtatë milionëshe. Më shumë popullsi e kalojmë edhe nepotizmin si kulturë sepse arrihet impersonalja, arrihet anonimiteti i qytetarëve të shtetit dhe demokracia si vullnet i shumicës bëhet më i kollajshëm.

Zëri i Amerikës: A kanë vullnet klasat politike të të dyja vendeve? Zakonisht vëzhguesit thonë se klasat politike janë pengesa e një procesi të tillë të mundshëm?

Albin Kurti: Është e vërtetë se shumë politikanë në Prishtinë e në Tiranë, por posaçërisht në Prishtinë dhe shumë biznesmenë rrotull tyre, i preferojnë këto feudet, principatat. Por, ne duhet ta tejkalojmë feudalizmin tash. Jemi në shekullin XXI dhe mendoj që po vjen një brez i ri i cili do që shqiptarët në Ballkan t’i shohë të dinjitetshëm karshi kombeve të tjera jo vetëm në Ballkan dhe mendoj që është edhe e drejta edhe interesi ynë për këtë. Unë besoj që brezi i ardhshëm i shqiptarëve që po vjen, do ta ketë jetën dhe perspektivën shumë më të mirë sesa brezat e shekullit XX dhe për këtë gjë, si kryetar i lëvizjes Vetëvendosje punoj ditë e natë që t’i shërbej këtij brezi që po vjen edhe pas meje le të them.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG