Lidhje

AI kërkon kuadër ligjor për viktimat e përdhunimeve


Organizata për të drejtat e njeriut Amnesty International i bëri thirrje Parlamentit të Kosovës që të enjten të miratojë kuadrin ligjor për rehabilitimin e viktimave të përdhunimeve gjatë luftës.

Organizata Ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Amnesty International i bëri thirrje Parlamentit të Kosovës të garantojë të drejtat e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Ajo kërkon nga ligjvënësit që në seancën e 20 marsit të miratojnë kuadrin ligjor në bazë të të cilit do t’u njihej e drejta ligjore dhe do t’u ofrohej respekti viktimave të përdhunimeve gjatë luftës.

Të enjten Parlamenti i Kosovës do të diskutojë ndryshimet dhe plotësimet e “Ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile të luftës dhe familjeve të tyre”.

Pjesë të këtij ligji synojnë rregullimin e statusit të viktimave të cilat i kanë mbijetuar përdhunimeve gjatë periudhës ndërmjet 27 shkurtit të vitit 1998 e deri më 20 qershor të vitit 1999.

Pesëmbëdhjetë pas luftës në Kosovë, ligji do të ndihmonte viktimat e dhunës seksuale rindërtimin e jetës, thuhet në një komunikatë të kësaj organizate e cila tërheq vëmendjen në pasojat që ka lënë kjo formë e krimit mbi të mbijetuarit.
Viktimat, thotë Amnesty International, vazhdojnë të ndjejnë mes tjerash pasiguri, turp, ndjenjë fajësie, depresion, ankth e mosbesim.

Amnesty International, ka mirëpritur nismën e presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga, për të krijuar Këshillin Kombëtar për të mbijetuarit e përdhunimeve gjatë luftës, i cili synon bashkërendimin e veprimeve për rehabilitimin e këtyre viktimave.

“Miratimi i ligjit është edhe një hap drejt vendosjes së drejtësisë”, thekson Amnesty International, duke shprehur pakënaqësinë më faktin se shumë pak raste të hetimeve janë hapur lidhur me këto raste. Ajo u bënë thirrje autoriteteve që të angazhohen për hetimin dhe ndjekjen e atyre që janë përgjegjës për veprime të tilla kriminale.

Pesëmbëdhjetë vjet pas luftës ende nuk dihet numri i saktë i grave dhe vajzave që ishin viktimë e këtyre krimeve, ndërsa aktualisht organet ndërkombëtare të drejtësisë janë duke ndjekur 14 raste të këtij krimi të luftës.

E cilësuar si një nga format më të rënda të krimeve në Kosovë, kjo çështje sipas veprimtarëve humanitarë, është përcjellë me një heshtje të gjatë pas luftës, heshtje që ka ngadalësuar paqen për viktimat e këtij krimi.
XS
SM
MD
LG