Lidhje

Kosova, nëntë vjet pavarësi


Kosova shënon të premten përvjetorin e nëntë të pavarësisë së saj, në një periudhë kur po mbushen dy vjet të një krize të rëndë politike.

Organizime të pakta e të zbehta po përshkojnë përvjetorin e pavarësisë, shënimi së cilës vazhdon të pasqyrojë ndarjet e thella politike.

Opozita vazhdon të kërkojë shpalljen e zgjedhjeve të reja dhe largimin e qeverisë të cilën e akuzon për marrëveshjen e arritur me Serbinë për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë si dhe atë për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Qeveria vazhdon të bëj thirrje për dialog politik, duke u zotuar për zbatimin e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, e cila në muajin dhjetor të vitit 2015 tha se pjesë të marrëveshjes për asociacionin nuk janë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës. Ajo ka themeluar edhe një komision që do të kryejë matjen e territorit të Kosovës për të siguruara se marrëveshja me Malin e Zi nuk e dëmton tërësinë tokësore të Kosovës.

Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008, në bazë të planit të krye negociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari. Deri tash ajo është njohur nga mbi 110 vende të botës.

Pavarësia e saj vazhdon të kundërshtohet nga Serbia, e cila është përfshirë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën që është kusht për rrugëtimin e saj drejt integrimeve evropiane.

Pjesa e parë e vitit të nëntë të pavarësisë së Kosovës u përshkua me tensione të larta me Serbinë. Tensionet rreth një muri i cili qe ngritur ne veri të Mitrovicës, ndalimi i ish kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj në Francë në bazë të një urdhër arresti serb, kulmuan nga mesi i janarit kur një tren me ikonografi mesjetare dhe mbishkrimin "Kosova është Serbi" u ndalua të hyjë në Kosovë.

Bashkimi Evropian mblodhi në dy raste udhëheqësit më të lartë të të dyja vendeve për të ulur tensionet dhe për të siguruar gatishmërinë e palëve për të vazhduar bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Bisedimet i siguruan Serbisë hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Por, Kosova vazhdon të mbetet e fundit në proceset integruese. Ajo nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, por është vendi i vetëm në Evropën juglindore që ka mbetur jashtë procesit të liberalizimit të vizave dhe qytetarët e saj nuk mund të udhëtojnë në vendet e Bashkimit Evropian pa viza.

Kosova ndërkaq edhe më tej është vendi me shkallën më të lartë të pranisë evropiane.

PRESIDENTI TRUMP I URON KOSOVËS PAVARËSINË

Presidenti amerikan Donald Trump tha se e ardhmja e një Kosove sovrane, shumetnike dhe demokratike është në një rajon ballkanik të qëndrueshëm e të begatë, të integruar plotësisht në komunitetin ndërkombëtar.

Në një mesazh për Presidentin Hashim Thaçi, me rastin e përvjetorit të Nëntë të Pavarësisë së Kosovës, zoti Trump thotë se partneriteti midis SHBA dhe Kosovës bazohet në vlera dhe interesa të përbashkëta.

Presidenti Trump thotë se Shtetet e Bashkuara u gëzuan bashkë qytetarët e Kosovës për medaljen e artë historike të fituar në Lojrat Olimpike të Brazilit dhe për pjesëmarrjen e ekipit të futbollit të Kosovës për herë të parë në sezonin FIFA-s.

Në mesazh, Presidenti Trump thotë se SHBA shpresojnë të vazhdojmë bashkëpunimin e gjerë dhe të thellë me Kosovën, të fokusuar në mbështetjen e zhvillimit demokratik dhe ekonomik, forcimin e sundimit të ligjit, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me fqinjët, dhe luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm e luftëtarëve të huaj terroristë.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG