Lidhje

Serbët shënojnë 627 vjetorin e "Betejës së Kosovës"


Disa qindra pjesëtarë të komunitetit serb qëndruan sot në Gazimestan afër Prishtinës, për të shënuar 627 vjetorin e Betejës mesjetare të Kosovës.

Në ditën e sotme të vitit 1389 ushtritë e Ballkanit u mundën në betejë me ushtritë e Perandorisë Osmane me çka filloi edhe sundimi 500 vjeçar turk në Evropën Juglindore. Serbët e kremtojnë këtë si ditë të fitores së tyre shpirtërore dhe dëshmi të pranisë së tyre në Kosovë.

Në veriun e Mitrovicës të banuar me shumicë serbe, u përuruara ndërkaq shtatorja e mbretit Lazar, një princ mesjetar serb i vrarë në betejën e Kosovës derisa komandonte ushtritë e Ballkanit.

Vendosja e shtatores nxiti reagime të shqiptarëve të cilët e cilësuan këtë veprim si nxitje të urrejtjes etnike.

Në ditën e sotme të vitit 1989 në përvjetorin e betejës së Kosovës ish presidenti serb Sllobodan Millosheviç shpalli siç thuhej, bashkimin e Serbisë, me rrënimin e autonomisë së Kosovës dhe paralajmëroi luftërat e përgjakshme që çuan në shkatërrimin e ish federatës jugosllave.

Njëzeteshtatë vjet pas asaj dite, Kosova ndodhet në çerekun e parë të nëntë vjetorit të pavarësisë së saj të njohur nga mbi 100 vende të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet më të fuqishme të Bashkimit Evropian, ndërsa Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e saj

Të dyja vendet ndodhen në një periudhë bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, adresa e përbashkët e aspiratave të të dyja vendeve për integrim.

XS
SM
MD
LG