Lidhje

Bastisje në pesë OJQ me orientime fetare në Kosovë


Kosovo, Police
Kosovo, Police

Autoritetet thanë se bastisjet janë pjesë e veprimeve të ndërmarra në një rast që është duke u hetuar nga, me qëllim të parandalimit dhe luftimit të terrorizmit në Kosovë.

Prokuroria e Posaçme e Kosovës bëri të ditur se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës janë bastisur pesë organizata joqeveritare, në Prishtinë dhe në Prizren, nën dyshimet për përfshirje në veprën penale: “shpëlarja e parave”, përkatësisht në bazë të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Parandalimin e Financimit të Terrorizmit.

Tri nga Organizatat Joqeveritare veprojnë në Prishtinë dhe dy të tjera në Prizren.

Në njoftimin e prokurorisë thuhet se gjatë bastisjeve janë sekuestruar përkohësisht sende që mund të jenë prova gjatë procedurës penale.

“Aksioni i sotëm është njëri nga veprimet e ndërmarra në një rast që është duke u hetuar nga Prokuroria e Posaçme Republikës së Kosovës, me qëllim të parandalimit dhe luftimit të terrorizmit në Kosovë”, thuhet në njoftim

Kosova është përballur me sfidën e pengimit të përfshirjes së qytetarëve të saj në luftërat në Lindjen e mesme. Javën e kaluar Departamenti amerikan i shtetit tha se kërcënimi i ekstremizmit të dhunshëm islamik ka ardhur duke u rritur gradualisht në Kosovë, që pas konfliktit të vitit 1999, i ndihmuar pjesërisht edhe nga financimi i organizatave të huaja, që predikojnë ideologji ekstreme.

Rreth 150 – 200 luftëtarë të huaj terroristë nga Kosova, kanë shkuar në Siri dhe Irak për të luftuar përkrah grupit Shtetit Islamik dhe Frontit al-Nusrah. Nga këta, rreth 20 janë vrarë.

Grupet e dhunshme ekstremiste përdorin aktivisht rrjetet sociale për të përhapur propagandën e tyre dhe për të rekrutuar njerëz. Në Kosovë nuk kanë ndodhur deri tani incidente terroriste.

Në vitin 2014, autoritetet e Kosovës arrestuan rreth 70 individë nën dyshimet për terrorizëm, rreth 40 prej të cilëve ishin luftëtarë të huaj që ishin kthyer në Kosovë.

Në muajin mars, Parlamenti i Kosovës miratoi ligjin që synon parandalimin e qytetarëve të Kosovës që t’u bashkohen luftërave jashtë vendit. Ligji parasheh dënime prej 6 muaj deri në 15 vjet heqje lirie për të gjitha ata që marrin pjesë, nxisin apo ndihmojnë përfshirjen në luftërat e huaja.

XS
SM
MD
LG