Lidhje

Kosova drejt ndryshimit të rolit të Forcave të Sigurisë - reagon Serbia


Autoritetet serbe reaguan me zemërim pas njoftimit se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ia dorëzoi kryetarit të parlamentit projektligjin për ndryshimin e misionit dhe detyrave të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Projektligji pritet që të mërkurën të hidhet në debat në kryesinë e parlamentit, për të hapur rrugën që ai të hidhet së shpejti për votim.

Presidenti Thaçi tha në një intervistë me Zërin e Amerikës se "Forca e Sigurisë do të luaj rolin dhe detyrat si çdo ushtri e çdo vendi të pavarur dhe sovran. Do të jetë në shërbim të çdo qytetari të Kosovës, do të jetë forcë shumë etnike dhe do të ruaj tërësinë territoriale dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës".

Ai bisedoi të martën në telefon me kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për procesin e bisedimeve ndërmjet të dyja vendeve si dhe vizitën e fundit në rajon të shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Por, mediet në Serbi thanë se gjatë bisedës telefonike, kryeministri serb është përplasur ashpër me presidentin Thaçi, për siç thuhet formimin e Ushtrisë së Kosovës. Sipas mediave serbe, kryeministri serb ka thënë se formimi i ushtrisë do të sjellë paqëndrueshmëri për të gjithë.

Ndërsa ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç gjatë një konference për gazetarë tha se Serbia do të kundërshtojë formimin e Ushtrisë së Kosovës pasi që sipas tij kjo nuk është as në pajtim me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Çfarë mund të bëjë Serbia? Serbia do të ndërmarr të gjitha hapat politik, mirëpo siç e dini ata marrin vendime të njëanshme, duke mos pyetur jo vetëm Serbinë por as ata që gjatë tërë kohës i kanë mbështetur, por megjithatë pasojat e kësaj politike nxisin destabilizim të rajonit”, tha ai duke nënvizuar se këto forca nuk do të mund të shkojnë në territoret ku jetojnë serbët pa lejen e forcave paqeruajtëse të NATO=s.

Por, veprimet e autoriteteve në Prishtinë për shndërrimin e misionit të Forcave të Sigurisë në këtë mënyrë më herët nuk kanë pasur përkrahje nga faktorët ndërkombëtarë në Kosovë të cilat vazhdimisht kanë deklaruar se kjo çështje duhet të zgjidhet nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese dhe me marrëveshje me përfaqësuesit serb në Kosovë.

Presidenti Hashim Thaçi tha gjatë intervistës me Zërin e Amerikës se ka “besim të plotë se edhe bashkësia ndërkombëtare do të jetë reflektuese në mirëkuptimin e këtij angazhimi shumë të drejtë të institucioneve të Kosovës”.

Tre vjet më parë, qeveria e Kosovës vendosi që Forca e Sigurisë së Kosovës të shndërrohet në Forcat e Armatosura, që do të kenë 5 mijë pjesëtarë aktiv dhe tre mijë rezervë.

Ngritja e tyre nënkuptonte miratimin e ligjit për formimin e tyre dhe ndryshime në kushtetutën e vendit. Veprimet e tilla kërkojnë dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Parlamentit dhe dy të tretat e votave të pakicave kombëtare.

Por, këto ndryshime janë pamundësuar për shkak të mospajtimeve të përfaqësuesve politik të serbëve të Kosovës të cilët bashkë me Beogradin vazhdojnë të kundërshtojnë ngritjen e tyre. Ata thonë se një gjë e tillë është e papranueshme dhe rrezikon sigurinë e rajonit.

Pamundësia për të siguruar votën e deputetëve të pakicës serbe ka shtyrë autoritetet në Kosovë për ndryshimin e ligjit aktual mbi Forcën e Sigurisë së Kosovës, nëpërmjet të cilit do t’i shtoheshin përgjegjësitë kësaj force.

Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua në janar të vitit 2009 në bazë të planit të kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, në bazë të të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG