Lidhje

Prokuroria pohon se Dino Hasanaj është vetëvrarë


Prokuroria e Qarkut në Prishtinë, tha se bazuar në të gjitha provat, Dino Asanaj, ish shefi i privatizimit në Kosovë, është vetëvrarë


Prokuroria e Qarkut në Prishtinë, tha se ka mbyllur rastin e vetëvrasjes së Dino Asanajt, ish drejtor i Agjencisë së Privatizimit në Kosovë.

Dino Asanaj, 55 vjeçar, ndërroi jetë më 14 qershor të këtij viti, si pasojë e plagëve të marra nga goditjet me thikë. Ai u gjet në zyrën e tij private në periferi të Prishtinës, i plagosur rëndë nga goditjet me thikë dhe ndërroi jetë më pas në spital.

Në njoftimin e prokurorisë thuhet se “me qëllim të zbardhjes se rastit prokuroria ka shikuar vendin e ngjarjes së bashku me Policinë e Kosovës, ka marrë të gjitha provat e mundshme nga vendi i ngjarjes dhe ka kërkuar të gjitha ekzaminimet e nevojshme. Me ekzaminimin e AND-së është vërtetuar se të gjitha gjurmët e gjakut të gjetura në vendin e ngjarjes janë të të ndjerit. Me ekzaminimin e thikës është konstatuar se ajo është pronë e tani të ndjerit dhe në të janë gjetur vetëm gjurmët e dorës së tij. Me ekzaminimin e AND-së së të gjitha mostrave të marra nga trupi i tani të ndjerit, përfshirë edhe ato nga thonjtë, është vërtetuar se ato nuk përmbajnë profile të AND-së të ndonjë personi tjetër. Me ekzaminimin grafologjik të letrës së gjetur në tavolinë është vërtetuar se ajo është e shkruar nga tani i ndjeri”.

Prokuroria pohon se regjistrimet kamerave të sigurisë, nuk tregojnë që në kohën e ngjarjes të ketë hyrë ndonjë person i panjohur në mjediset ku ka ndodhur ngjarja dhe me kontrollin që i është bërë telefonit të të ndjerit, nuk është vërtetuar se ai ka pasur ndonjë kërcënim apo shantazh nga ndonjë person tjetër.

Po ashtu në njoftim thuhet se “nuk është vërtetuar se ai ka ndonjë plagë tjetër përveç plagëve me thikë. Është vërtetuar më tutje, se në trupin e tani të ndjerit janë gjetur 11 plagë të shkaktuara me thikë. Shtatë plagë, në rajonin e qafës, janë plagë prerëse hezituese. Hezituese janë edhe dy gërvishtje në regjionin e qafës dhe këto plagë hezituese janë karakteristike për vetëvrasje. Në pjesën e gjoksit janë gjetur dy plagë shpuese-prerëse dhe njëra nga ato ishte vdekjeprurëse. Bazuar në këto prova prokuroria konkludon se tani i ndjeri Dino Asanaj është vetëvrarë”.

Prokuroria nuk ka përjashtuar mundësinë që i ndjeri të jetë shtyrë në vetëvrasje dhe për këtë ka kërkuar nga Policia e Kosovës të mbledhë të dhënat ose provat e mundshme rreth këtyre dyshimeve.

Hetimet rreth këtij rasti janë ndihmuar edhe nga Byroja Federale e Hetimeve (FBI) pranë Departamentit të amerikan drejtësisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG