Lidhje

Jahjaga: Toleranca ndërfetare – vlerë e Kosovës


Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe ministri austriak i punëve të jashtme, Sebastian Kurz janë takuar me udhëheqësit e bashkësive fetare në Kosovë

Përfaqësues politik vendas e ndërkombëtar dhe të bashkësive fetare në Kosovë, thanë të hënën se vlerës e shoqërisë së Kosovës, është kultivimi i tolerancës ndërfetare dhe bashkëjetesa ndërmjet besimeve të ndryshme.

Këto komente u bënë gjatë një takimi që zhvilluan me ministrin austriak të punëve të jashtme Sebastian Kurz, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, Ipeshkvi i Ipeshkëvisë së Kosovës, Dodë Gjergji, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava, si dhe Peshkopi i Dioqezës Rashkë-Prizren, Teodosije.

Të gjithë këta morën pjesë edhe në një ekspozitë me punimet e artistit austriak Leopold Forstner, në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Gjatë hapjes së ekspozitës, presidentja Jahjaga tha se “Evropa të cilës ne duam t’i përkasim është Evropa e vlerave dhe unitetit, Evropa e diversitetit dhe multikulturalizmit, Evropa e përparimit. Është Evropa e cila përfaqësonte shpresë për miliona njerëz prapa perdes së çeliktë - ku edhe të ëndërrosh nuk ishte e lejuar - dhe për miliona të tjerë që janë të gatshëm të anashkalojnë urrejtjen e rrënjosur thellë dhe fatet tragjike që të bashkohen - jo për shkak të tokës dhe gjakut, por për shkak të ideve të cilat e kanë definuar kohën në të cilën ne jetojmë. Kjo ide është aq e fuqishme - ajo e mban në vete forcën për të transformuar shoqëritë për të mbarë”.

Në një takim të shkurtër me ministrin austriak, që po qëndron për një vizitë në Kosovë, ajo bisedoi për zhvillimet aktuale në vend, proceset integruese, për kultivimin e tolerancës ndërfetare në Kosovë dhe për bashkërendimin ndërkombëtar në adresimin e kërcënimeve ekstremiste.

XS
SM
MD
LG