Lidhje

Thaçi: Kosova prijëse në rajon kundër ekstremizmit


Shefi i diplomacisë së Kosovës, Hashim Thaçi i tha ministrit të jashtëm austriak se Kosova është shembull i tolerancës fetare e etnike dhe e pa kompromis kundër ekstremizmit

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, njëherësh ministër i punëve të jashtme tha të martën në Prishtinës se Kosova prinë në mesin e vendeve të rajonit në luftën kundër ekstremizmit dhe radikalizmit. Ai i bëri këto komente pas takimit me ministrin e jashtëm austriak, Sebastian Kurz me të cilin janë diskutuar edhe shqetësimet në rritje për përfshirjen e evropianëve në luftërat në Siri dhe Irak dhe veprime ekstremiste.

Ministri austriak tha se kthimi i atyre që luftojnë në Siri dhe Irak paraqet rrezik për vendet evropiane.

Janë 5 mijë njerëz nga Evropa që kanë shkuar në Siri dhe Irak dhe nga pikëpamja ime është shqetësuese. Kjo paraqet një rrezik të sigurisë nëse ata njerëz kthehen në Evropë”, tha ministri Kurz, duke bërë thirrje për luftë të përbashkët kundër ekstremizmit dhe për të parandaluar përfshirjen e qytetarëve në ato luftëra.

Shpresojmë që në këto hapësira do të ketë vazhdimësi të rrugës së dialogut ndërfetar që në Kosovë funksionon shumë mirë, por po ashtu do të merren hapa të qartë kundër radikalizmit asisoj që Islami evropian që është zhvilluar këtu në Kosovë të vazhdojë të zhvillohet dhe tendencat radikale të mos gjejnë hapësirë këtu”, tha ministri Kurz.

Ministri Thaçi tha se Kosova ka qenë gjithmonë vend i mirëkuptimi dhe tolerancës ndërfetare e ndëretnike dhe se në Kosovë ekziston një konsensus edhe politik edhe qytetar rreth kësaj çështjeje.

Mund të them lirisht se Kosova është lider në rajon në luftën kundër ekstremizmit dhe radikalizmit. Ka ndërmarrë hapa konkret, jashtëzakonisht të rëndësishëm ndaj të gjithë elementëve që kanë paraqitur rrezik për shoqërinë e Kosovës, qofshin ata që kanë qenë pjesëmarrës në luftërat në Siri apo Irak, qofshin ndaj atyre që e kanë nxitur këtë shkuarje”.

Ai tha se Kosova së shpejti do të ketë ligjin që ndalon përfshirjen e qytetarëve të saj në luftërat e huaja.

Mendoj se do të na ndihmojë shumë, sidomos në përmbushjen e asaj zbrazëtire legale që e kemi pasur edhe ne në Kosovë. Por, atë që mund ta them përsëri është se do të jemi të pa kompromis dhe do të kemi zero tolerancë ndaj elementëve ekstremistë dhe radikalë”, tha ministri Thaçi.

Askush nuk e di numrin e saktë, por shërbimet e zbulimit pohojnë se mund të ketë disa qindra shqiptarë nga Kosova, Maqedonia e Shqipëria që mund të jenë duke luftuar në radhët e militantëve në lindjen e Mesme. Deri tash besohet se mbi 20 qytetarë të Kosovës kanë humbur jetën në ato luftëra.

Ministri austriak i cili nga Prishtina shkon në Maqedoni e siguroi ministrin Thaçi për vullnetin e vendit të tij për të ndihmuar Kosovën në procesin e integrimit evropian dhe në zhvillimin ekonomik të saj. Ai bëri thirrje për luftë kundër korrupsionit si një kusht i domosdoshëm për nxitjen e investimeve në Kosovë.

Ai tha se evropianët presin zbatim të marrëveshjeve të arritura në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve, rifillimi i të cilave pritet më 9 shkurt.

XS
SM
MD
LG