Lidhje

Parakalim kundër kancerit të gjirit



Qindra gra parakaluan sot qendrës së Prishtinës, në mbështetje të përpjekjeve për luftën kundër kancerit të gjirit. Edhe në Kosovë muajit tetor shënohet si periudhë e luftës kundër kësaj sëmundjeje.



Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, bashkë me raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek, ambasadoren amerikane për çështjet globale dhe të gruas, Melanne Verveer dhe personalitete tjera, ju bashkuan manifestimit “Ecja për shërim”, në përpjekje për ndërgjegjësimin e opinionit për pasojat e kësaj sëmundjeje.

Sot ne dëshmojmë kujdesin dhe solidaritetin tonë jo vetëm si individ por edhe si shoqëri në përkrahje ndaj të gjithë atyre që janë të prekur nga kjo sëmundje. Ndërmjet veprimtarive të ndryshme jo vetëm gjatë këtij muaji, por çdo ditë të vitit ne të gjithë iu përcjellim mesazhin të prekurve nga kanceri i gjirit se ato nuk janë të vetmuara në këtë betejë, ato e kanë përkrahjen dhe mbështetjen e të gjithë shoqërisë dhe të institucioneve tona”, tha presidentja Jahjaga.

Raportuesja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek tha se të gjithë duhet të punojnë së bashku për të përballur këtë sëmundje.

Të sigurohemi që asnjëra prej neve nuk do të vdes më nga kanceri i gjirit sepse nëse zbulohet në fillim atëherë do të shërohet”, tha zonja Lunacek.

Drejtuesja e Qendrës për Luftimin e Kancerit të Gjirit “JETA/VITA”, Nafije Latifi, tha se sipas të dhënave, çdo e dhjeta grua në botë, përballet me këtë sëmundje dhe shkalla e vdekshmërisë është në vendin e dytë. Ngjashëm situata është edhe në Kosovë, tha ajo.

Fakti më shqetësues është se këtu në Kosovë, zbulimi i sëmundjes bëhet në rastet më të shpeshta në stadet e avancuara, kur trajtimi dhe mbijetesa janë shumë të kufizuara dhe për mungesë të kushteve dhe përkrahjes adekuate institucionale e shoqërore, vështirësitë nëpër të cilat kalojnë gratë e sëmura në Kosovë janë shumë më të rënda, madje më të rënda se në vendet fqinje”, tha zonja Latifi.

Gjatë manifestimit të sotëm u tha se kanceri është një problem global dhe një ndër sfidat më të mëdha të mjekësisë bashkëkohore. Por, në kushtet e Kosovës, ai merr përmasa të tjera duke filluar nga shkalla e ultë e edukimit shëndetësorë, pamundësia e zbulimit të hershëm, shpenzimet e larta të trajtimit e deri tek stigmatizimi.
XS
SM
MD
LG