Lidhje

Kosovë: Dështon projekti për qendrën e skive


Brezovica - arkiv

Brezovica - arkiv

Në Kosovë autoritetet thanë se një konsorcium francez që synonte zhvillimin e një projekti qindra milionë eeurosh për qendrën e skive në Brezovicë, ka dështuar të sigurojë paratë e mjaftueshme për të.

Në muajin prill të vitit 2014, qeveria e Kosovës kishte nënshkruar me përfaqësuesit e konsorciumit francez të kompanive “MDP Consulting – Compagnie des Alpes”, një kontratë prej 410 milionë eurosh për projektin e zhvillimit të qendrës turistike të Brezovicës.

Brezovica është qendra më e madhe turistike në Kosovë që shtrihet në rajonin e Shtërpcës, një komunë e banuar me shumicë serbe, rreth 60 kilometra në jug të Prishtinës.

Investitorët francezë qenë zotuar se do të krijohen mbi 3 mijë vende pune, ndërsa investimet do të kryheshin në disa faza. Në periudhën e parë 3 vjeçare, priteshin 165 milionë euro investime.

Në projekt parashihej zgjerimi apo krijimi i pistave të klasit botëror për ski, më të gjata se 100 km, që thuhej se do të ishin më të gjatat në Ballkan, të pajisura me rreth 20 teleferikë dhe pajisje tjera bashkëkohore me standarde të larta të sigurisë dhe të cilësisë më të mirë në rajon.

Por, të premten autoritetet thanë se "si rrjedhojë e pamundësisë së partnerit privat për të siguruar mjetet financiare në përputhje me termat dhe kushtet e marrëveshjes, Komiteti Drejtues Ndërministror në përputhje me kontratën ka marrë vendim për të anuluar marrëveshjen".

Megjithatë, autoritetet thanë se projekti mbetet një çështje "me rëndësi strategjike për Kosovën dhe komunitetin lokal dhe qeveria është e bindur se një qendër turistike e klasit botëror do të zhvillohet nga investitorë, zhvillues dhe operues të njohur ndërkombëtarë në një të ardhme të afërt", thuhet në një komunikatë.

Kosova, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008, është ndër vendet më të varfëra në Evropë me një shkallë papunësie ndërmjet 35 dhe 45 për qind.

XS
SM
MD
LG