Lidhje

Kosovë: Dënohet dëmtimi i varrezave të komunitetit katolik


Në Kosovë, autoritetet dënuan një incident në një fshat të komunës së Prizrenit ku në rrethana të panjohura janë dëmtuar disa varreza të shqiptarëve të besimit katolik.

Policia në Prizren tha se është duke zhvilluar hetime lidhur me këtë incident por ende nuk dihet asgjë për motivet apo autorët e mundshëm. Incidenti ka ndodhur ne fshatin Dedaj - Romajë të kësaj komune dhe sipas mbishkrimeve në pllakat e dëmtuara shihet varrezat i takojnë një familjeje të këtij fshati.

Qeveria e Kosovës dënon ashpër dëmtimin e varrezave. Në një reagim të saj thuhet se “thyerjet dhe dëmtimet e varrezave janë akte të ulëta kriminale, të cilat, përkundër përpjekjeve të izoluara, nuk do të arrijnë të cenojnë në asnjë mënyrë raportet vëllazërore dhe tolerancën ndërmjet qytetarëve të besimeve të ndryshme fetare në Republikën e Kosovës. Populli i Kosovës është shembull i harmonisë së mirëfilltë ndërmjet komuniteteve fetare, vlera të trashëguara brez pas brezi në vendin tonë”, thuhet mes tjerash në reagim.

Ndërsa kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, shkruan se thyerja e varrezave “është vepër kriminale dhe përpjekje dëshpëruese për të zbehur tolerancën fetare në Kosovë, e cila ka kohë që është shembull për shumë vende në rajon dhe më gjerë. E dënoj ashpër këtë akt qyqar dhe kërkoj që organet e rendit dhe të gjithë ata që mund të ndihmojnë, të bëjnë të pamundurën që të zbardhet ky rast, i cili i qet hije të keqe, jo vetëm kësaj ane, por gjithë Kosovës”.

Në reagimin e zotit Haradinaj thuhet se “varrezat janë objekte të shenjta dhe kushdo ngre dorë mbi to, ka ngritur dorë mbi shenjtërinë e jetës së përbashkët shekullore të qytetarëve të të gjitha besimeve në Kosovë. Prandaj nuk do të lejojmë askënd që t’i rrezikojë këto vlera. Unë dua të besoj se kjo është vepër e kriminelëve dhe keqbërësve ordiner, por pavarësisht prej kësaj, zbardhja e këtij rasti, është me interes të jashtëzakonshëm për të gjithë ne”, thuhet në reagimin e kryetarit të AAK-së.

Të dielën në mbrëmje këshilli lokal i fshatit Romajë reagoi duke kërkuar kujdes në vlerësimet lidhur me njoftimet për dëmtimin e varrezave.

Në një deklaratë dërguar medieve këshilli shpreh “indinjatën” për këtë ngjarje “e cila është lansuar në mënyra të ndryshme nga mediet e Kosovës”.

E vërteta qëndron në atë se Romaja dhe populli i saj janë të njohur me dekada për diversitet ndërfetar e sidomos me pjesëtarët e besimit katolik që jetojnë në fshatin Dedaj. Qytetarët e fshatit Romajë e kanë përjetuar rëndë këtë ngjarje dhe i bëjmë thirrje medieve dhe politikanëve që të jenë të kujdesshëm në dhënien e deklaratave pasi që ndikojnë negativisht në ftohjen e marrëdhënieve ndërfetare që kanë qenë shembull jo vetëm në rajonin e Hasit por edhe më gjerë”.

Në deklaratë thuhet se “në bazë të dëshmive të banorëve të fshatit është konstatuar se shumë varreza edhe të konfesionit mysliman janë dëmtuar nga era, pasi që pozita gjeografike ku ndodhën varrezat bënë që ato të jenë të ekspozuara ndaj erërave të forta”.

Në deklaratë u bëhet thirrje organeve të hetuesisë që të ndërmarrin masa urgjente në mënyrë që sa më parë të zbulohet e vërteta lidhur me këtë rast dhe “kjo do të kontribuonte që ky rast të mos ndikojë në prishjen e marrëdhënieve ndërfetare në mes këtyre banorëve”.

Kosova është vlerësuar shpesh si shembull i tolerancës fetare, një nam që është sfiduar në disa raste kohët e fundit, në radhë të parë për shkak të ndikimit nga luftërat në Lindjen e Mesme.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG