Lidhje

Kosovë: Aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese

  • Leonat Shehu

Prokuroria e Posaçme e Kosovës ka bërë të ditur se Gjykata Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër ish kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës Enver Hasani për falsifikim i dokumentit zyrtar dhe keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, ndërsa ka pushuar hetimet për një vepër tjetër penale, për të cilën ka qenë duke u hetuar.
Në njoftimin e prokurorisë thuhet se “i pandehuri Enver Hasani, në cilësinë e personit zyrtar - kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës - ka vepruar në kundërshtim me autorizimet e tij zyrtare me rastin e vendosjes për kërkesën e presidentes së Republikës së Kosovës në lidhje me dekretin e saj, që ka pasur të bëjë me emërimet e gjyqtarëve ndërkombëtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës”.
Prokuroria Speciale e Kosovës thotë se zoti Hasani “ka nxjerrë vendim për papranueshmëri, nga i cili kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme mandatet shtesë si gjyqtarë ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës tre persona”
“Gjithashtu, i pandehuri Hasani, me dashje, ka shënuar të dhëna të rreme në aktvendimin e njëjtë mbi papranueshmëri, duke e shënuar në faqen e parë të këtij aktvendimi edhe emrin e një gjyqtari si pjesëmarrës në trajtimin e kësaj çështjeje kushtetuese, i cili nuk kishte marrë pjesë në trajtimin e kësaj çështjeje”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Shtetit.
Ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani aktakuzën e ngritur ndaj tij e ka quajtur arbitrare dhe hakmarrje ndaj tij. Në një komunikatë për opinion, zoti Hasani thotë se “as në sistemet më totalitare nuk ngrihet aktakuze pa pasur një deklaratë të të pandehurit. Unë dje kam qenë në polici pa avokat dhe kam dërguar kërkesën që Gjykata Themelore është duke e shqyrtuar qe disa muaj dhe akoma nuk ka verdikt”, thuhet në komunikatën e zoti Hasani.
Kjo është aktakuza e dytë brenda gjashtë muajsh për Enver Hasanin, ku në korrik të vitit të kaluar Prokuroria e Posaçme e Kosovës ngriti një aktakuzë për mashtrim në detyrë, gjatë detyrës së tij si rektor i Universitetit të Prishtinës.
Enver Hasani udhëhoqi Gjykatën Kushtetuese për dy mandate rresht që nga themelimi i saj në vitin 2009 e deri në qershor të vitit të kaluar.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG