Lidhje

Kosovë: Një i akuzuar për pjesëmarrje në organizatë terroriste


Prokuroria e posaçme akuzoi një shqiptar të Kosovës për përfshirje në radhët e organizatës së shpallur terroriste “Jahbat Al Nusra” në Siri.

Në Kosovë, prokuroria e posaçme ka ngritur aktakuzë kundër një shqiptari të Kosovës nën dyshimet për veprën penale “organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste”.

Në një njoftim të prokurorisë thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se Alban Mavraj, nga 4 shtatori deri më 27 tetor të vitit 2013, i ishte bashkuar grupit terrorist në Siri, të quajtur “Jahbat Al Nusra”.

I pandehuri Mavraj ka provuar edhe dy herë tjera të shkojë në Siri, së pari me 5 prill të vitit 2014 dhe sërish më 27 korrik të vitit 2014, kur edhe ishte arrestuar nga policia e Kosovës.

Prokuroria thekson se “ka mbledhur prova që vërtetojnë ekzistimin e fakteve që i pandehuri në fjalë ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. Është vërtetuar qartë se i pandehuri kishte qenë pjesëmarrës i luftës në Siri. Këtë e ka pranuar edhe vetë ai në dy deklaratat të dhëna në polici dhe para prokurorit. Ka pranuar se ishte stërvitur me armë të ndryshme atje dhe se ka provuar edhe disa herë të tjera të shkonte në Siri”.

Ditë më parë ministri i brendshëm i Kosovës, Skënder Hyseni i tha Zërit të Amerikës se rreth 300 shtetas të Kosovës mund të kenë shkuar në luftërat e Irakut dhe të Sirisë, ndërsa autoritetet kanë arrestuar 150 luftëtarë, nxitës dhe rekrutues të ushtarëve për në luftërat e huaja.

Mbi 20 qytetarë të Kosovës besohet se kanë humbur jetën në luftërat në lindjen e mesme.

Më 23 janar, parlamenti i Kosovës me 74 vota për dhe 12 kundër, miratoi në parim projektligjin që synon parandalimin e qytetarëve të Kosovës që t’u bashkohen luftërave jashtë vendit.

Projektligji parasheh dënime prej 6 muaj deri në 15 vjet heqje lirie për të gjitha ata që marrin pjesë, nxisin apo ndihmojnë përfshirjen në luftërat e huaja.

XS
SM
MD
LG