Lidhje

Kosovë, përballje e partive politike në Gjykatën Kushtetuese


Partitë politike paraqitën pikëpamjet e tyre në një seancë dëgjimore në Gjykatën Kushtetuese, ku po shqyrtohet zgjedhja e kryetarit të parlamentit.

Partitë politike që morën pjesë në zgjedhjet parlamentare të tetë qershorit në Kosovë u përballën sot në Gjykatën Kushtetuese në një seancë dëgjimore lidhur me kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës për “vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit për zgjedhjen e kryetarit parlamentit në seancën e 17 korrikut”.

Më 23 korrik, Gjykata Kushtetuese vendosi masën e përkohshme me të cilën pezulloi vendimin për zgjedhjen e kryetarit të Lidhjes Demokratike Isa Mustafa në postin e kryetarit të Parlamentit. Zgjedhja kishte ndodhur pa praninë e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, e cila më pas kërkoi nga Gjykata Kushtetuese shqyrtimin e kushtetutshmërisë së këtij vendimi.

Përfaqësuesi i kësaj partie Arsim Bajrami tha se në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të 8 qershorit, subjekti më i madh parlamentar është Partia Demokratike dhe së këndejmi ajo është grupi më i madh parlamentar me 37 deputetë dhe për këtë i takon propozimi i kryetarit të Parlamentit. Ai tha se kërkesa e parë e kësja partie është që Gjykata të shpallë jo kushtetuese zgjedhjen e kryetarit të parlamentit meqë ky vendim është nxjerrë në bazë të paragjykimit të gabuar kushtetues për grupin më të madh parlamentar.

Kërkesa jonë e dytë është që Gjykata Kushtetuese të konstatoj që Grupi më i madh parlamentar në konstituive është ai i Partisë Demokratike të Kosovës me 37 deputetë”, tha mes tjerash zoti Bajrami.

Por, Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën janë regjistruar si një grup i vetëm parlamentar dhe me këtë ata siguruan një grup prej 47 deputetësh. Duke llogaritur edhe në mbështetjen e lëvizjes Vetëvendosje dhe te pakicave kombëtare, ata pretendojnë se u takon posti i kryetarit të parlamentit. Përfaqësuesja e këtyre partive Vjosa Osmani tha se kjo e bënë zgjedhjen e zotit Mustafa në krye të Parlamentit një veprim tërësisht kushtetues që duhet të njihet edhe nga Gjykata Kushtetuese.

Kërkojmë nga kjo Gjykatë e nderuar që kërkesa e deputetëve të PDK-së është e papranueshme sepse nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe nën dy, si alternativë dhe vetëm e vetëm nëse kjo Gjykatë vendos ta shpallë kërkesën të papranueshme atëherë kërkojmë nga Gjykata të vendos që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit ishte në përputhje me Kushtetutën” tha zonja Osmani.

Vendimi i Gjykatës do të pasojë një këshillim të brendshëm dhe ai duhet të publikohet më së voni deri më 18 shtator. Partitë politike megjithatë presin që vendimi të ndodhë më herët për të ndihmuar zgjidhjen e situatës aktuale.

Sido që të rrjedhë procesi rreth kryetarit të Parlamentit, vendimi për këtë çështje nuk shënon edhe fundin e ngërçit politik. Partia Demokratike, ka të drejtën që e para të provojë formimin e qeverisë, ndërsa në rast të dështimit për shkak të numrave të deputetëve, çështja në masë të madhe do të mbetet në duart e presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga e cila duhet të vlerësojë se kush mund të ketë këtë shumicë për të emëruar mandatarin e ri.

Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën së bashku me lëvizjen Vetëvendosje, janë zotuar se nuk do t’i përgjigjen asnjë ftese të Partisë Demokratike për formimin e qeverisë së re të Kosovës. Zhvillimet e deritashme e kanë bërë shumë sfidues procesin e formimit të institucioneve të reja dhe kanë lanë të hapur mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG