Lidhje

Kosovë: Deputetët serbë dërgojnë edhe një ligj në Gjykatën Kushtetuese


Deputetët e Listës Serbe, subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës, dorëzuan të martën në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit për investime strategjike i miratuar më 11 tetor nga ana e Parlamentit të Kosovës.

Deputetët e kësaj liste, e kanë cilësuar të papranueshëm ligjin që i lejon qeverisë më shumë përgjegjësi për të hyrë në bisedime me investitorë të huaj apo vendas për pasuritë e Kosovës.

Sipas ligjit, investitorët që mund të jenë të interesuar për pasuritë që janë në pronësi komunale, qoftë shtetërore, qoftë ndërmarrje shoqërore, mund t’i qasen drejtpërdrejtë qeverisë së Kosovës me kërkesë që të bëjnë investime në ato prona.

Përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës thanë se ligji bie ndesh edhe me parimet e decentralizimit të pushtetit dhe paraqet nja qasje të papranueshme të qeverisë qendrore ndaj institucioneve lokale.

Kjo është hera e dytë brenda një jave që deputetet serbë i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Më 13 tetor ata dorëzuan në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit të miratuar nga ana e Parlamentit të Kosovës për kombinatin metalurgjik Trepça.

Me këtë ligj qeveria e Kosovës bwhet pronare e 80 për qind të aksioneve të kombinatit.

Miratimi i tij bëri që përfaqësuesit e Listës Serbe, që janë pjesë e koalicionit qeverisës në Kosovë, t'i ngrijnë pozitat e tyre në qeveri dhe parlament, pasi që sipas tyre, me këtë ligj vendoset edhe fati i popullit serb në Kosovë.

Miratimi i ligjit ka ngjallur reagime dhe mospajtime të mëdha ndërmjet institucioneve të Kosovës në njërën anë dhe qeverisë serbe dhe përfaqësuesve politik serb në Kosovë.

Autoritetet në Kosovë thanë pronat e Kosovës i takojnë asaj dhe qytetarëve të saj, ndërsa Beogradi nuk ka çfarë të kërkojë në Trepçë e as në asnjë prej ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës.

Por, Beogradi ka kërkuar që çështja e pronave të shtrohet në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Qeveria e Kosovës, kërkon ndërkaq nga Gjykata Kushtetuese që të ndërpresë të gjitha procedurat për likuidimin e ndërmarrjes “Trepça”, meqë Trepça vazhdon të administrohet nga Agjencia e Privatizimit, ndërsa Gjykata e lartë e Kosovës ka përcaktuar fillimin e muajit nëntor si afat për këtë agjenci që të dorëzojë planin e organizimit të saj. Nëse ky afat nuk përmbushet, kompleksi mund të shkojë në falimentim.

XS
SM
MD
LG