Lidhje

Lirohet një ish zyrtar qeveritar dhe dënohen dy të tjerë


Një gjykatë në Prishtinë shpalli të pafajshëm nga akuzat për korrupsion ish ministrin për kthim dhe komunitete në qeverinë e Kosovës, Slavisha Petkoviç.

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, bëri të ditur se Ish ministri për kthim dhe komunitete në qeverinë e Kosovës, Slavisha Petkoviç, është liruar nga akuzat për korrupsion.

Ndërsa dhjetë persona të tjerë, përfshirë edhe ish-sekretarin e përhershëm dhe ish-drejtorin e departamentit të prokurimit të kësaj Ministrie, janë shpallur fajtorë për veprat penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare dhe mashtrimit në detyrë.

Të dhjetët janë dënuar me heqje lirie me kusht prej një deri katër vjet. Dy nga ish zyrtarëve të kësaj ministrie Branislav Gërbiç, i dënuar me katër vjet heqje lirie dhe Nemanja Vujoviç, i dënuar me tre vjet e gjashtë muaj heqje lirie, u është shqiptuar edhe masa e ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratën publike apo në shërbimin publik për një periudhë prej dy viteve.

Muhamet Sadiku, Ruzhdi Prebreza, Ismet Hasani dhe Fidan Sadiku, u shpallën fajtorë për veprën penale të mashtrimit në detyrë në bashkë-kryerje dhe u dënuan me nga një vit e gjashtë muaj heqje lirie.

Ndërsa Rifat Sadiku, Shemsi Haliti, Gani Zeneli dhe Driton Hamiti u shpallën fajtorë për veprën penale të mashtrimit në detyrë dhe u dënuan me nga një vit heqje lirie.

Të tetët janë pronarë kompanish të ndryshme kryesisht ndërtimore

Të gjithë këta ishin akuzuar që në gusht të vitit 2010, nën dyshimet për keqpërdorimin e mjeteve të ndara për ministrinë për kthim dhe komunitete.
XS
SM
MD
LG