Lidhje

AP e Këshillit të Evropës me rezolutë për Kosovën


Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, miratoi të enjten mbrëma një rezolutë për Kosovën, ku i kërkohet asaj që të sigurojë respektimin esundimit të ligjit dhe çrrënjosjen e korrupsionit. Duke u kërkuar autoriteteve që kjo çështje të jetë përparësi, rezoluta nënvizon se “përhapja endemike e korrupsionit” në të gjitha fushat qeveritare, në drejtësi dhe në ekonomi, ndikon negativisht në jetën e qytetarit të Kosovës".

Rezoluta, e cila është miratuar në bazë të raportit të përfaqësuesit spanjoll, Agustin Conte, vë theksin te përparimi i arritur në Kosovë në aspektin e demokracisë, me organizimin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2014, si dhe mirëpret miratimin e ndryshimeve kushtetuese që sigurojnë ngritjen e Gjykatës së Posaçme që do të trajtojë pretendimet e ngritura nga raportuesi i Këshillit të Evropës, Dick Marty për trafikim organesh dhe krime lufte në Kosovë.

Në një njoftim të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, thuhet se ajo shpreh keqardhje që puna e Parlamentit të Kosovës është pezulluar për shkak të një bllokade të vazhdueshme, duke vënë kështu në pah edhe mungesën e vullnetit të forcave politike për të zhvilluar dialog konstruktiv. Rezulota gjithashtu dënon edhe një seri veprimesh që kanë ndodhur në Parlamentin e Kosovës, veprime këto që kanë ndikuar në rënien e besueshmërisë së qytetarëve në institucionet demokratike.

Duke përshëndetur mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe marrëdhëniet midis komuniteteve, Asambleja Parlamentare bën thirrje që autoritetet të jenë më vigjilente dhe të “dënojnë të gjitha sulmet të cilat kryhen me motive etnike” si dhe të “tregojnë përgjegjësi në ligjërimin publik” në mënyrë që të ulin tensionet.

Ajo më tej u bën thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të vazhdojnë bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian, për normalizimin e marrëdhënieve ndëmrjet të dyja vendeve. Ardhmëria evropiane si dhe forcimi i standardeve “janë të një rëndësie madhore për demokracinë në Kosovë ashtu si edhe për qëndruesëhmrinë e vendeve të Ballkanit perëndimor në përgjithësi”, u tha gjatë debatit që i parapriu Rezolutës.

Asambleja Parlamentare propozon ndryshimin e formatit aktual të bashkëpunimit mes zyrës së saj dhe Parlamentit të Kosovës, “në mënyrë që të sigurohet që në delegacionin e saj të ketë përfaqësues nga pakicat kombëtare, përveç shumicës dhe opozitës”.

Debatet më të rrepta i nxiti një nga pikat e rezolutës në të cilën "inkurajohet Misioni i Kombeve të Bashkuara që të forcojë kapacitetet e tij për bashkëpunim me INTERPOL-in dhe EUROPOL-in, si dhe inkurajon autoritetet në Prishtinë që të shfrytëzojnë mekanizmat ekzistues".

Zyrtarët serb e cilësuan këtë si një fitore të tyre, meqë ata angazhohen për vazhdimin e punës së UNMIK-ut, ndërsa Prishtina pret shndërrimin e tij në një zyrë të Kombeve të Bashkuara.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi me 110 vota rezolutën “Situata në Kosovë dhe roli i Këshillit të Evropës”,

Kosova nuk është anëtare e Këshillit të Evropës, por merr pjesë në punimet e tij pa të drejtë vote.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG