Lidhje

Kosovë: Shishe me benzinë në një gjykatë


Një shishe me benzinë, e njohur si "koktej molotovi", është hedhur natën ndërmjet të shtunës dje të dielës në objektin e Gjykatës Themelore në Lipjan, një qytezë rreth 20 kilometra në jug të Prishtinës.

Sulmi ka lënë pas vetes dëme materiale në një nga zyrat e gjykatës si dhe ka dëmtuar një makinë, pronë e kësaj gjykate.

Policia e Kosovës e cila është duke e hetuar rastin, nuk ka dhënë më shumë hollësi rreth tij dhe ende nuk dihen autorët apo motivet e mundshme të këtij incidenti.

Këshilli Gjyqësori i Kosovës e dënoi sulmin duke e cilësuar si "një veprim të ulët dhe kriminal ndaj institucioneve të drejtësisë përmes së cilit cenohen vlerat themelore mbi të cilat bazohet shteti i së drejtës".

Rasti i mbrëmshëm pasoi disa incidente të javëve të fundit kur në rrethana të pasqaruara u hodhën shishe me benzinë mb ndërtesën e Parlamentit si dhe u dogjën disa makina të zyrtarëve të Lidhjes Demokratike dhe Partisë Demokratike të Kosovës, por edhe makina të institucioneve të drejtësisë.

Kosova po përballet tash e një gjysmë viti me krizën më të thellë politike që nga shpallja e pavarësisë së saj në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG