Lidhje

42 vjet burg të akuzuarve për lidhje me terrorizmin


Gjykata e Apelit në Kosovë, vërtetoi të premten dënimin me 42 vjet heqje lirie për shtatë persona të akuzuar për veprën penale të terrorizmit.

Të shtatët ishin dënuar më 20 maj të këtij viti nga Gjykata Themelore në Ferizaj për rekrutim dhe nxitje të terrorizmit.

Gjykata e Apelit vërtetoi vendimin e gjykatës themelore në të cilin thuhej se “të pandehurit akuzohen se me dashje u kanë bërë thirrje personave të tjerë për të kryer ose për të marrë pjesë në kryerjen e veprave terroriste, të marrin pjesë në aktivitetet e grupit terrorist dhe të sigurojnë fonde dhe burime materiale, gjatë vitit 2011 – 2014, dhe me këtë kanë kryer veprën penale rekrutimi për terrorizëm”.

Në mesin e të dënuarve është edhe Zekirija Qazimi ish Imam i Xhamisë “El-Kudus” në Gjilan, rreth 50 kilometra në lindje të Prishtinës, i cili u dënua me 10 vjet heqje lirie për rekrutim dhe për nxitje të urrejtjes. Sipas gjykatës imami Qazimi “ka keqpërdorur pozitën e tij si Imam ku publikisht ka nxit dhe përhap urrejtje, përçarje dhe mosdurim midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike dhe grupe tjera që jetojnë në Republikën e Kosovës, në mënyrën e cila mund të prishë rendin publik".

Gjashtë persona të tjerë u dënuan me nga tre deri në tetë vjet heqje lirie për veprat penale rekrutim për terrorizëm, organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist dhe për veprën penale armëmbajtje pa leje. Tre nga të dënuarit kishin pranuar fajësinë.

Kosova është përballur që nga viti 2012 me përfshirjen e qytetarëve të saj në konfliktet në Lindjen e Mesme. Fillimisht ata u ishin bashkuar forcave opozitare që luftonin për rrëzimin e regjimit të presidentit sirian, Bashar Al Asaad. Por, më vonë, shumica e tyre u bashkuan me organizatat si Al Nusra apo edhe grupi i quajtur Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë.

Sipas autoriteteve në Kosovë, rreth 316 veta besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme, ndërsa atje ende ndodhen 140, nga të cilët 75 luftëtarë dhe 38 gra e 27 fëmijë.

Dy vjet më parë policia filloi hetimet kundër 237 vetave për pjesëmarrje në luftë, nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve të huaj dhe mbi 127 veta janë arrestuar.

Sipas autoriteteve, 117 veta janë kthyer në Kosovë dhe deri tash 35 veta janë dënuar nga gjykatat.

Një prej çështjeve më të diskutueshme është riintegrimi i të kthyerve nga ato luftëra dhe parandalimi i përfshirjes së të tjerëve.

Në dy javët e para të muajit nëntor janë arrestuar 19 persona nën dyshimet për lidhje me grupin militant Shteti Islamik dhe planifikim sulmesh në Kosovë dhe në rajon. Ndonëse nuk janë dhënë hollësi se cilat ishin planet për sulme në Kosovë, policia tha se arrestimet parandaluan sulmet terroriste në ndeshjen e futbollit ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit që duhej të zhvillohej në Shkodër e më pas u zhvendos në qytetin e Elbasanit.

Analistët thonë se derisa po përjeton humbje të territoreve në lindjen e Mesme, grupi militant Shteti Islamik po provon të nxisë simpatizantët e tij për sulme në vendet e tyre dhe Kosova duhet të rrisë përpjekjet e saj për të penguar radikalizmin.

Në pranverën e vitit të kaluar parlamenti i Kosovës miratoi një ligj që parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie për të gjithë ata që marrin pjesë, nxisin apo mbështesin përfshirjen në konfliktet jashtë Kosovës.

Analistët thonë se institucionet duhet të veprojnë jo vetëm më forcën e ligjit por edhe me të ashtuquajturat masa të buta për të parandaluar ekstremizmin e dhunshëm.

Të mërkurën më 23 nëntor, zyra e kryeministrit të Kosovës, ambasada amerikane dhe Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Sipas qeverisë "kjo marrëveshje ofron kuadrin e përgjithshëm të bashkëpunimit për zbatimin e një projekti për të kryer një vlerësim bazik të luftëtarëve të huaj që vijnë ose që janë të lidhur me Kosovën".

Qëllimi i projektit , sipas qeverisë, "është që të prodhojë një vlerësim gjithëpërfshirës që mund të përdoret për hartim të politikave të bazuara në dëshmi për parandalimin e radikalizmit të dhunshëm në burgje dhe në komunitete, për të informuar aktivitetet për deradikalizim dhe riintegrim, si dhe për të siguruar një drejtim strategjik për Strategjinë e Kosovës për Luftën Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Planin e saj të Veprimit".

Trego komentet

XS
SM
MD
LG