Lidhje

Tre vjet heqje lirie për përfshirje në radhët e IS-it


Një gjykatë në komunën e Gjilanit në Kosovë, dënoi me tre vjet heqje lirie një qytetar që ishte përfshirë në radhët e grupit Shteti Islamik.

Në një njoftim të gjykatës, thuhet se "i akuzuari F. B., shqiptar, shtetas i Republikës së Kosovës është shpallur fajtor, sepse me datën 17 Shkurt 2015, i është bashkangjitur organizatës terroriste ISIS, e cila organizatë është shpallur terroriste nga Kombet e Bashkuara. Duke ju bashkuar kësaj organizate i akuzuari, ka kryer trajnimin teorik dhe praktik për përdorimin e armës së zjarrit AK-47 dhe bombës së dorës. Me këtë i akuzuari F. B. ka kryer veprën penale: organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist".

Në njoftim thuhet se "pas pranimit të fajësisë në tërësi nga i akuzuari F. B., trupi gjykues e ka dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 3 vitesh".

Kosova është përballur që në vitin 2012 me rastet e para të shkuarjes së qytetarëve të saj në Siri. Që atëherë rreth 300 qytetarë të Kosovës i janë bashkuar konfliktit atje ndërsa aktualisht sipas vlerësimeve të organeve të sigurisë numri sillet në rreth 80 sish. Mbi 50 prej tyre janë të deklaruar të vdekur.

Që nga viti 2013, autoritetet në Kosovë kanë hetuar mbi 180 persona të përfshirë në vepra që lidhen me terrorizmin. Rreth 90 persona janë arrestuar dhe janë ngritur mbi 40 aktakuza.

XS
SM
MD
LG