Lidhje

Kosovë: Pesë vjet heqje lirie për "rekrutim për terrorizëm"


Një gjykatë në komunën e Ferizajt, rreth 40 kilometra larg Prishtinës, dënoi sot një shqiptar të Kosovës me pesë vjet heqje lirie nën akuzën për veprën penale "rekrutimi për terrorizëm".

Sipas akuzës, Musa Ademi, "duke filluar nga gushti i vitit 2013 në Kosovë, vazhdimisht u ka bërë thirrje personave të tjerë për pjesëmarrje në aktivitetet e organizatës së quajtur ISIS, në atë mënyrë që ka bërë propagandë intensive, verbale, si dhe përmes mediave sociale, përmes të cilave ka dërguar informata dhe fotografi lidhur me aktivitet terroriste të kësaj organizate, e njëkohësisht prej burimeve të ndryshme ka siguruar fonde të ndryshme materiale duke blerë biletat e aeroplanit te nxjerra në një agjenci, për linjën Prishtine -Stamboll, dhe atë gjatë muajit gusht 2013 për personat B.H dhe F.I të cilët në të njëjtën date kanë udhëtuar nga aeroporti i Prishtinës për në Stamboll, e pastaj i janë bashkuar organizatës terroriste ISIS, në Siri. Tani i ndjeri B.H me datë 25 mars 2014 ka kryer akt vetëvrasës terrorist në shtetin e Irakut duke vrarë veten dhe 52 persona të tjerë, ndërsa F.I ende gjendet në Siri si pjesëtar i aktiviteteve të grupit terrorist. Gjatë muajit maj ka organizuar shkuarjen në Siri të personave F.L dhe N.B i cili në momentin e fundit e ka ndërruar mendimin dhe nuk ka shkuar në këtë organizatë, kurse F.L si pjesëtarë i ISIS-it në Siri ka qëndruar rreth 5 muaj dhe tani gjendet në vuajtje të dënimit për aktivitetet terroriste në këtë organizatë".

Sipas autoriteteve aktualisht rreth 80 qytetarë nga Kosova ndodhen në Siri dhe Irak ndërsa që nga viti 2013 policia e Kosovës ka iniciuar hetime për 199 persona. Janë arrestuar 102 syresh dhe deri tash janë dënuar 34 persona.

Autoritetet në bashkëpunim me bashkësitë fetare, agjencitë e sigurisë e organizatat e shoqërisë civile, kanë hartuar një strategji kombëtare për “Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit”, në përpjekje për të gjetur rrugët për përballje më këtë dukuri.

Që në vitin 2012 janë paraqitur rastet e para të shkuarjes së qytetarëve të saj në Siri. Rreth 300 qytetarë të Kosovës besohet se kanë marre pjesë në konfliktet në Lindjen e Mesme.

XS
SM
MD
LG