Lidhje

Thaçi: Lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar - kërkon ligje të forta


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të martën se bota po përballet me ndryshime dhe rreziqe të mëdha dhe si e tillë kërkohet që Kosova të bëjë ndryshime ligjore në mënyrë që të përballet me këto sfida.

Ai i bëri këto komente gjatë fillimit të punës së grupit për plotësim-ndryshimin e Kodit Penal dhe të Procedurës Penale.

Presidenti Thaçi bëri thirrje që të bëhen ndryshime përmbajtjesore të procedurës penale, të cilat sipas tij, do të mundësojnë që Kosova të përballet më mirë me, siç tha, tri rreziqe.

Ne të gjithë jemi dëshmitar të ndryshimeve globale me të cilat po përballet e gjithë bota ndaj të cilave nuk është imune as Kosova. Rreziqe të tilla të përmasave globale siç janë terrorizmi dhe krimi i organizuar, kërkojnë infrastrukturë ligjore më të fuqishme në funksion të lehtësimit të punës së institucioneve zbatuese që të luftojnë këto dukuri negative”, tha presidenti Thaçi duke nënvizuar se luftimi i terrorizmit, krimit të organizuar dhe korrupsionit janë përparësi e punës së institucioneve të Kosovës.

Ndërsa, Prokurori i Prokurorisë së Shtetit, Besim Kelmendi tha se luftimi i këtyre dukurive kërkon ndryshimin ose plotësimin e kodeve sa i përket konfiskimit të pasurisë të përfituar me kryerjen e veprave penale.

Ne do të insistojmë që në Kodin Penal të kthehet një propozim që ishte edhe në vitin 2012 për konfiskimin e pasurisë të të gjithë atyre personave që nuk janë në gjendje të tregojnë origjinën e pasurisë. Sikur këtë ta kthejmë dhe ta kemi në Kodin tonë atëherë do të kishim një luftim të suksesshëm jo vetëm të korrupsionit por edhe veprave tjera penale siç janë krimet e luftës, terrorizmi dhe çdo vepër tjetër penale që ka sjellë një përfitim të kundërligjshëm të pasurisë. Kjo do të vlente jo vetëm ndaj kryesve të veprave penale por edhe për ata që nuk janë në gjendje të tregojnë origjinën e pasurisë”, tha prokurori Kelmendi.

Që nga përfundimi i luftës, sistemi i drejtësisë në vend ka mbetur fusha më e kritikuar, ndërsa në sirtarët e gjykatave të vendit edhe më tej mbeten me qindra mijëra lëndë të pazgjidhura.

XS
SM
MD
LG