Lidhje

Kroacia mbështet proceset politike në Kosovë


Presidenti kroat Ivo Josipoviç tha në Prishtinë se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi është i domosdoshëm për përparimin drejt BE-së

Presidenti i Kroacisë, Ivo Josipoviç, tha sot në Prishtinë se vendi i tij mbështetë procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai i bëri këto komente gjatë vizitës së tij në Kosovë me ftesë të presidentes Atifete Jahjaga, e cila shfaqi bindjen se Kosova do të gëzojë përkrahjen e Kroacisë në proceset integruese evropiane.


Kërkova nga Presidenti Josipovic që Republika e Kroacisë të na përkrahë në anëtarësimin e Kosovës në të gjitha nismat dhe organizatat rajonale, duke e konsideruar se Kosova në këtë mënyrë do ta japë kontributin e plotë si subjekt i barabartë ndërkombëtar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit dhe në bashkëpunimin bilateral dhe multilateral që nxit komunikimin dhe përmirëson jetën dhe punën e qytetarëve, si dhe jep kontribut në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizmit”, tha presidentja Jahjaga.

Presidenti kroat, Ivo Josipoviç, tha se qëndrimi i Kroacisë është që gjithë shtetet e rajonit të jenë anëtarë të Bashkimit Evropian dhe për këtë ajo është e gatshme të ofrojë ndihmën politike, por edhe teknike.

Republika e Kroacisë përkrah fuqishëm bisedimet mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë dhe përparimi i deritashëm është mjaft i rëndësishëm. Bisedimet që duhet të çojnë në normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes të dy shteteve janë rrugë e mirë drejt Evropës”, tha ai duke vënë theksin tek marrëdhëniet e mira fqinjësore.
Atifete Jahjaga dhe Ivo Josipovic

Atifete Jahjaga dhe Ivo Josipovic



Ai tha se pakicat kombëtarë janë faktor i rëndësishëm për marrëdhëniet në rajon. Pakica kroate në Kosovë dhe ajo shqiptare në Kroaci kanë rëndësi të madhe dhe mund të shërbejnë si ura mes dy shteteve, tha presidenti kroat.

Shqiptarët e Kosovës i kanë dhënë një kontribut të madh Republikës së Kroacisë në të gjitha fushat e jetës, që nga koha kur kemi mbrojtur pavarësinë tonë, e deri sot kur shumë shqiptarë të Kosovës marrin pjesën në jetën publike në Kroaci”, tha presidenti Josipovic, i cili nga mikpritësja e tij, morri zotimin për trajtim të mirë të pakicës kroate në Kosovë.

Presidentit Josipovic edhe një herë i shpreha përkushtimin tonë që komuniteti kroat në Kosovë do të jetë komunitet kushtetues me vend të garantuar të përfaqësimit nacional në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha presidentja Jahjaga.

Kroacia u bë anëtare e Bashkimit Evropian në muajin korrik duke u shndërruar në vendin e dytë të dalë nga ish federata jugosllave që bëhet pjesë e familjes evropiane pas Sllovenisë. Prishtina e cilëson këtë një arritje edhe për rajonin që synon integrimin në Bashkimin Evropian.

Kroacia ishte në mesin e vendeve të para që njohu pavarësinë e Kosovës një muaj pas shpalljes së saj më 17 shkurt të vitit 2008. Në qershor të atij viti, Kroacia dhe Kosova vendosën marrëdhënie diplomatike. Ajo po ashtu argumentoi në favor të pavarësisë së Kosovës, gjatë seancave dëgjimore mbi ligjshmërinë e saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
XS
SM
MD
LG