Lidhje

Kosovë: Parakalim kundër homofobisë


Kosovo, LGBTI
Kosovo, LGBTI

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish presidentja Atifete Jahjaga, nënpresidentja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek dhe ambasadorët amerikan dhe britanik, ju bashkuan të martën një parakalimi të komunitetit LGBTI me moton; “Dashuria jonë është Kushtetuese”.

Gjatë parakalimit që u kaloi i qetë dhe nën masa të rrepta sigurie, presidenti Thaçi tha se “Kosova me kushtetutë u jep të drejtë të gjithëve të kenë jetën e tyre. Çdo qytetar i vendit i ka të drejtat e tyre dhe këto të drejta ata duhet t'i shfrytëzojë”.

Ndërsa, eurodeputetja, Ulrike Lunacek, e cila po qëndron në Kosovë në kuadër të konferencës së përbashkët ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës lidhur me Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, tha se kishte pritur prani më të madhe të mbështetësve të luftës kundër homofobisë.

Drejtuesit e institucioneve të Kosovës thonë se Kosova ka nxjerrë një varg ligjesh që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në zbatimin e të drejtave të njeriut, siç është ligji kundër diskriminimit, që rregullon dhe parandalon çfarëdo forme të diskriminimit.

Veprimtarët e shoqërisë civile thonë se Kosova ka bërë përparim duke siguruar mbrojtje për pjesëtarët e komunitetit LGBTI me anë të ligjeve të ndryshme duke përfshirë ndalimin e diskriminimit në bazë të orientimit seksual dhe duke ndëshkuar më ashpër ata të cilët nxisin urrejtje ose sulmojnë dikë për shkak të perceptimit apo orientimit seksual.

Megjithatë, ata tërheqin vërejtjen se zbatimi i ligjeve ende mbetet i dobët dhe në shumë raste të drejtat e njeriut për komunitetin LGBTI mbeten të pa mbrojtura dhe problem kryesor ende mbetet “urrejtja e vazhdueshme”.

Zyrtarë qeveritar, përfaqësues të shoqërisë civile dhe komunitetit LGBTI thonë se ky komunitet ende është i detyruar të jetojë në hije, me frikën se zbulimi i orientimit seksual do të mund të çojë në përjashtimin nga familja e shoqëria.

XS
SM
MD
LG