Lidhje

Kosovë: Debate të rrepta për energjinë elektrike

  • Leonat Shehu

Parlamenti u përfshi sot nga debatet lidhur me privatizimin e rrjetit të shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike

Debate të ashpra përshkuan sot punimet e Parlamentit të Kosovës lidhur me procesin e privatizimit të rrjetit të shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike në Kosovë.

Debatet ishin pjesë e interpelancës së ministrit të zhvillimit ekonomik, Besim Beqaj, nga i cili deputetët e partive opozitare kërkuan sqarime lidhur me këtë proces.

Muajin e kaluar, autoritetet vendosën që ky rrjet t’u shitet kompanive turke “Limak dhe Calik” me një vlerë prej 26.3 milion eurosh.



Visar Ymeri nga lëvizja Vetëvendosje, parti kjo që kishte kërkuar interpelancën, tha se procesi është i paligjshëm dhe jo transparent dhe për të arsye ai duhet të pezullohet. Zoti Ymeri tha se “energjia dhe infrastruktura e saj është çështje e sovranitetit, e ajo prek politikat shtetërore, popullin kolektivisht dhe secilin qytetar veç e veç”.

Ministri Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj, tha se procesi është në pajtim me kushtetutën e Kosovës, ndërsa qeveria tha ai, është e përkushtuar të sigurojë furnizim të rregullt me energji elektrike, prodhim me çmim të përballueshëm dhe zbatim të standardeve ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes së mjedisit. Ai tha se në rast se ndërmarrja dështon, është krijuar kuadri ligjor që qeveria të ndërhyjë dhe të marrë pronësinë e ndërmarrjes, nëse investitori nuk plotëson kushtet e kontratës me të cilën janë paraparë rreth 200 milionë euro investime.

Debatet u ashpërsuan, ndërmjet udhëheqësit të lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, të cilët këmbyen akuza dhe kundër akuza lidhur me qasjen ndaj proceseve të mëdha të privatizimit.

Interpelanca përfundoi me refuzimin e parlamentit më shumicë votash të kërkesës së partive opozitare për pezullimin e këtij procesi, i cili ka nxitur reagime të shumta edhe të organizatave joqeveritare, të cilat shprehin dyshim që procesi mund të ndikojë edhe në rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Rrjeti i shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike është pjesë e Korporatës energjetike të Kosovës, që është prodhuesi i vetëm i energjisë elektrike në vend dhe një nga kompanitë më të mëdha. Kjo korporatë po përballet më vështirësi në rimëkëmbjen e saj dhe furnizimin e qytetarëve me energji elektrike, meqë prodhimi i saj varet nga dy termocentrale të vjetruara, ndërsa ende nuk ka filluar zbatimi i planeve për ndërtimin e termocentralit të ri.
XS
SM
MD
LG