Lidhje

Përballja e Kosovës me ekstremizmin


Përfaqësues institucionesh vendase e ndërkombëtare dhe të shoqërisë civile thonë se ekstremizmi i dhunshëm vazhdon të paraqes rrezik për sigurinë e Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor.

Në një studim të publikuar nga Qendra e Kosovës për Studime të Sigurisë thuhet se ekstremizmi i dhunshëm vazhdon të mbetet një shqetësim për Kosovën. Drejtori i kësaj qendre, Florian Qehaja thotë se për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor problem i madh vazhdon të mbetet ekstremizmi i dhunshëm që ka të bëjë me personat që thirren në besimin islam dhe që keqpërdorin këtë besim për qëllime të caktuara.

“Ne vazhdojmë të konsiderojmë se ekstremizmi i dhunshëm vazhdon të përbëjë rrezik për sigurinë e Kosovës, përbën rrezik për sigurinë e Ballkanit Perëndimor. Ne vlerësojmë masat e policisë së Kosovës dhe organeve të rendit në funksion të identifikimit, mbikëqyrjes dhe kapjes të disa individëve të cilët kanë kontribuar në zgjerimin e ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë. Ne konsiderojmë që është bërë një hap pozitiv, mirëpo nuk mund të ndihemi komod dhe bëjë thirrje që të punojmë në funksion të parandalimit”, tha zoti Qehaja.

Ai i ka bërë këto komente gjatë publikimit të një studimi me titull “Rrëfimi i dy qyteteve - ekstremizmi i dhunshëm dhe kundërpërgjigja në Komunën e Mitrovicës dhe Vushtrrisë”, projekt ky i financuar nga Bashkimi Evropian dhe që ka për qëllim njoftimin e qytetarëve për ekstremizmin dhe pasojat e tij. Zoti Qehaja thotë se studimi ka nxjerrë në pah se nxënësit e shkollave të mesme rrezikohen për tu përfshirë në ekstremizëm dhe kjo kategpri është potenciali më i madh për rekrutimin e tyre në grupe terroriste.

“Ju sic e dini, shumica e pjesëtarëve të Kosovës në ISIS janë të rinj, rreth 80 për qind e tyre janë deri në moshën 27 vjeçare dhe ne mendojmë se puna jonë duhet të jetë te të rinjtë, jo vetëm te moshat 18 vjeçare, por para se gjithash te shkollat e mesme”, tha zoti Qehaja.

Ministri i Punëve të Brendshme Skender Hyseni tha se institucionet e Kosovës janë duke bërë përpjekje të vazhdueshme që të luftojnë dukurinë e ekstremizmit të dhunshëm, që sipas tij ka lënë pasoja për Kosovën.

“Ne nuk mund të qëndrojmë mospërfillës përball asaj që Kosova ka dhënë mbi 300 luftëtarë të huaj, nuk mund të qëndrojmë mospërfillës përball asaj që ka me dhjetëra qytetarë të Kosovës që kanë humbur jetën në luftërat e huaja, nuk mund të qëndrojmë mospërfillës ndaj të dhënës që në nivele të ndryshme të organizimit social ka përpjekje për radikalizëm, për futje ideologjisë që nuk kanë të bëjnë asgjë me natyrën e Kosovës, mirëkuptimin, tolerancën, harmoninë ndër fetare që ekziston me traditë ndër shqiptar”, tha ministri Hyseni.

Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë Samuel Zbogar tha se institucionet e vendit kanë bërë hapa të rëndësishëm për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm.

Parandalimi dhe zbulimi i hershëm janë qartësisht punë thelbësore e një politike efikase për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm. Unë përgëzoj Kosovën për përfundimin e një strategjie për luftën kundër ekstremizmit e cila është gjithëpërfshirëse dhe e artikuluar dhe ishte një rezultat i një procesi gjithëpërfshirës për të cilën ka kontribuar Bashkimi Evropian si dhe partnerët tjerë vendas dhe ndërkombëtare”, tha zoti Zbogar.

Qytetarët e parë të Kosovës që u janë bashkuar konflikteve në Siri dhe Irak janë regjistruar nga mesi i vitit 2012. Fillimisht ata u ishin bashkuar forcave opozitare në Siri që luftonin për rrëzimin e regjimit të presidentit sirian, Bashar Al Asaad. Por, më vonë, shumica e tyre u bashkuan me organizatat si Al Nusra apo edhe grupi i quajtur Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë. Që atëherë rreth 300 qytetarë të Kosovës i janë bashkuar konfliktit atje ndërsa aktualisht sipas vlerësimeve të organeve të sigurisë numri sillet nga 60 deri në 100 veta. Mbi 40 prej tyre janë të deklaruar të vdekur.

Autoritetet në bashkëpunim me bashkësitë fetare, agjencitë e sigurisë e organizatat e shoqërisë civile, hartoi një strategji kombëtare për “Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit”, në përpjekje për të gjetur rrugët për përballje më këtë dukuri.

Që nga viti 2013 e deri tash autoritetet kanë hetuar mbi 180 persona të përfshirë në vepra që lidhen me terrorizmin. Rreth 90 persona janë arrestuar dhe janë ngritur mbi 40 aktakuza. Në muajin mars, parlamenti i Kosovës miratoi ligjin që parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie për të gjitha ata që marrin pjesë, nxisin apo ndihmojnë përfshirjen në luftëra të huaja. Por, veprimtarët thonë se krahas veprimeve ligjore, lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm duhet të jetë gjithëpërfshirëse, duke vënë theksin tek edukimi dhe informimi i drejtë i qytetarëve të Kosovës.

XS
SM
MD
LG