Lidhje

Kosovë: debate për daljen nga kriza

  • Leonat Shehu

Që nga 22 shtatori, partitë opozitare penguan mbledhjet e parlamentit, në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve me Serbinë

Përfaqësues të shoqërisë civile, partive politike dhe analistë, thanë të mërkurën në Prishtinë se tejkalimi i krizës politike në të cilën është përfshirë Kosova, mund të bëhet vetëm nëpërmjet bisedimeve ndërmjet partive në pushtet dhe atyre në opozitë. Gjatë një debati të organizuar nga shoqëria civile, drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, tha se duhet t’i jepet më shumë hapësirë presidentes së vendit Atifte Jahjaga që të zhvillojë këshillimet me partitë politike për ulur tensionet.

Presidentja tani më ka filluar aktivitetet dje me grupet politike, por gjithsesi kemi pasur edhe një zhvillim tjetër ku kryesia e parlamentit ka përcaktuar një seancë plenare për të premten, ne konsiderojmë që ende pa i dhënë mjaftueshëm hapësirë presidentes për të zhvilluar takimet individuale ndoshta për të pasur edhe një tryezë të përbashkët në mes palëve, kryesia e parlamentit mendoj që ka bërë një hap të shpejtuar në këtë proces,” tha zoti Kryeziu.

Edhe deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se të dyja palët duhet të ulin tensionet dhe t’u jepet rast takimeve me presidenten e vendit, si një rrugë drejt normalizimit të gjendjes. Zonja Osmani fajësoi edhe opozitën por edhe partitë politike në pushtet për gjendjen e krijuar në vend.

Prandaj caktimin e seancës për këtë të premte në ora 16 e konsideroj si eksperiment, në radhë të parë eksperiment me jetën e deputetëve sepse deputetët po konsiderohen si minj me të cilët eksperimentohet se sa mund të thithin gaz lotsjellës, sa mund të durojnë provokime pa u grushtuar me njëri tjetrin, sa mund të durojnë mjete të tjera që mund të dalin tash në shesh në seancën e radhës dhe potencialisht po e krijon hapësirën për një fundjavë shumë të dhunshëm në mes të qytetarëve”, tha zonja Osmani.

Deputeti nga radhët e lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Deda, tha se Kosova ndodhet në një krizë politike dhe ajo zgjidhet me pranimin e saj si dhe duke lëvizur nga pozicionet refuzuese. Ai tha se zgjidhja më e mirë është organizimi i një referendumi.

E zhbllokon punën e parlamentit dhe e kornizon debatin ku çdo aktor do të përfshihej në të dhe kjo është një lloj dalje nga kjo krizë. Çdo hap tjetër I cili fokusin e ka menaxhimin e krizës në shteg afatshkurtër ka me na prodhu krizë dhe ne mund të hyjmë në periudha të krizave. Nëse shkohet në zgjedhje për dy muaj, a mendoni se kanë me qenë ato zgjedhje të lira, pa problem, pa vjedhje në këtë situatë? Unë nuk e mendoj një gjë të tillë dhe çka do të prodhojë një cikël I tillë, cikël të kaosit në Kosovë”, tha zoti Deda.

Për analistin Dukagjin Gorani zgjidhja më e mirë është arritja e një marrëveshjeje ndërmjet partive politike për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.

Atë që e kemi parë këto ditë është se skena jonë politike nuk është e trajnuar dhe e specializuar për të ofruar shtegdalje, pra askush në skenën politike nuk e diskuton shteg daljen nga kjo. Diskursi aktual publik shkon prej deklarimit “nuk ekziston kriza politike” të cilën e thotë pushteti deri te qëndrimi opozitar I cili flet për një krizë totale shoqërore e cila është duke e çuar shoqërinë përfundimisht në humnerë”, tha zoti Gorani.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, zhvilloi takime me partitë politike në përpjekje për vendosjen e një dialogu politik ndërmjet udhëheqësve të institucioneve dhe partive politike, në përpjekje për tejkalimin e situatës së krijuar në vend.

Që nga 22 shtatori, partitë opozitare pamundësuan në forma të ndryshme mbajtjen e seancave të parlamentit të Kosovës në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve të arritura në bisedimet me Serbinë në fund të muajit gusht me të cilat komunave me shumicë serbe u ofrohet një shkallë e gjerë autonomie.

Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtim të tensioneve politike në Kosovë, ishin pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve që janë edhe kusht për afrimin e tyre me strukturat evropiane.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG