Lidhje

Bisedimet Kosovë – Serbi vazhdojnë në dhjetor


Takimi i radhës ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë do të mbahet muajin që vjen, kur pritet edhe fillimi i zbatimit të marrëveshjeve të deritashme.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha sot se Kosova është e gatshme të vazhdojë bisedimet me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Ai filloi sot një seri takimesh për të informuar udhëheqësit e institucioneve dhe partive politike për takimin e dytë me kryeministrin serb, Ivica Daçiç. Të premten ndërkaq ai pritet të raportojë edhe në Parlamentin e Kosovës për këtë çështje.

Para fillimit të këtyre bisedimeve, kryeministri Thaçi siguroi mbështetjen e partive politike, përveç Lëvizjes Vetëvendosje, e cila kundërshton bisedimet e pakushtëzuara me Serbinë.

Kryeministri Thaçi tha në mbledhjen sotme të qeverisë se në takimin e dytë është arritur pajtim që zbatimi i marrëveshjes për menaxhimin e përbashkët të kufirit fillimisht të ndodhë në katër vendkalime kufitare, përfshirë ehe dy vendkalimet në veriun e banuar me shumicë serbe. Ai tha se në proces do të jetë i përfshirë edhe EULEX-i por nuk do të ketë qasje të ndryshme në asnjë vendkalim.

EULEX do të ushtrojë funksionet e tij plotësisht me mandatin e tij nga Kuvendi i Kosovës në të gjitha pikat kufitare. Pra, roli i EULEX-it në pikat kufitare në veri do të jetë i njëjtë me atë në jug, perëndim apo diku tjetër. Pra EULEX-i e ka një mandat dhe atë mandat që ja kemi dhënë nga Kuvendi i Kosovës”, tha kryeministri Thaçi.

Ai tha se çështja e veçantë ishte mundësia e hapjes së Zyrave Ndërlidhëse në të dyja kryeqytetet.

Zyra ndërlidhëse që do të jap shërbime qytetarëve për pajisjen e qytetarëve me dokumente të udhëtimit, e dokumente të tjera. Sa i përket kësaj çështje, Serbia ende ka rezerva sepse e kupton qartë se hapi i tillë është edhe mesazhi konkret i njohjes së shtetit të Kosovës. Unë shpresoj që progres do të ketë në takimin e radhës sepse kjo çështje radhitet në kushtet e vëna Serbia nga Bashkimi Evropian”, theksoi kryeministri Thaci.

Ai tha se në takim është arritur pajtimi që Serbia të bëjë transparente financimin e strukturave paralele në Kosovë, që sipas tij është kushti kryesor që i është vënë Serbisë për integrimin e saj në strukturat euro-atlantike.

Ai shpjegoi se pjesë e debatit ishin edhe çështja e ruajtjes së trashëgimisë kulturore, ndërtimin e autostradës që lidhë dy vendet, ndërsa vend i posaçëm i është kushtuar çështjes së personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Takimi i radhës pritet të mbahet në fillim të dhjetorit, ndonëse ende nuk ka një datë të saktë. Të dy kryeministrat u takuan së pari më 19 tetor me çka u shënua ehe fillimi i bisedimeve politike ndërmjet dy vendeve. Procesi është mbështetur edhe nga diplomacia euro perëndimore e cila synon shtendosjen e marrëdhënieve në Ballkan.

Serbia refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës, por është shprehur e gatshme të debatojë normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën, në radhë të parë për faktin se me këtë Serbisë i është kushtëzuar data e fillimit të negociatave për anëtarësim, ndërsa Kosovës, ajo e fillimit të negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit.

XS
SM
MD
LG