Lidhje

Thaci: Autonomia e komunave serbe – e papranueshme


Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha në një takim me partitë politike së propozimi i Serbisë për autonominë e komunave serbe, nuk do të shtrohet për diskutim.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e cilësoi të papranueshëm propozimin e Serbisë që komunat me shumicë serbe në Kosovë, të marrin statusin e komunave autonome. Ai i ka bërë këto komente në një takim me përfaqësuesit e partive politike, përveç lëvizjes Vetëvendosje, në prag të takimit të radhës me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç, më 17 janar në Bruksel.

Në një komunikatë për opinion thuhet se qeveria e, në këto bisedime respekton planin e kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari, Rezolutën e Parlamentit të Kosovës për bisedimet me Serbinë, Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjet në fuqi dhe marrëveshjet e arritura në bisedimet teknike të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Prandaj, thuhet në komunikatë, qeveria e Kosovës, në asnjë mënyrë, nuk do të bisedojë për, statusin e Kosovës, tërësinë tokësore të Kosovës, organizimin e brendshëm të saj dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialogun teknik.

Qeveria e Kosovës është fuqimisht e interesuar që në këto bisedime, brenda një periudhe të shkurtër kohore, të arrijë këto synime: fuqizimin e strukturave në Veri të Kosovës në fushën e arsimit, shëndetësisë, çështjeve sociale, në strukturave të qytetarëve të Veriut të Kosovës në pajtim me planin e zotit Ahtisaari me Kushtetutën e Kosovës dhe me ligjet në fuqi, largimin e strukturave të sigurisë së Serbisë nga veriu i Kosovës, krijimin e rrethanave për mbajtjen e zgjedhjeve të lira në komunat e Veriut të Kosovës, krijimin e komunës së re të Mitrovicës veriore, krijimin e rrethanave për organizimin e regjistrimit të popullsisë dhe të pronës në atë pjesë të Kosovës, trajtimin e përshtatshëm ekonomik dhe zhvillimor të Veriut të Kosovës, i cili midis tjerash do të nënkuptojë themelimin e Fondit për zhvillimin e Veriut të Kosovës.

Qeveria shpreh synimin për “arritjen e një marrëveshje ndërkombëtarisht detyruese për normalizimin e Marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila do të garantohej prej BE-së, SHBA-së dhe shteteve të Quintit. Natyrisht, ne e kuptojmë që Serbia nuk do të mund ta njohë pavarësinë e Kosovën në fund të këtij procesi, prandaj është e domosdoshme që Kosoves t’i sigurohet anëtarësimi në OKB, t’i hapet rruga e sigurt për anëtarësim në NATO dhe BE, me qëllim që të sigurohemi se Serbia nuk do të mund të bëhet pengesë në anëtarësimin e Kosovës në këta mekanizma ndërkombëtarë”.

Në komunikatën për opinion thuhet se kryeministri Thaçi i njoftoi udhëheqësit e partive se në takimin e radhës, do të diskutohet për “zhbërjen e strukturave ilegale të sigurisë së Serbisë nga Kosova, krijimin e mekanizmit, i cili mundëson që ndihmat financiare të Serbisë për komunitetin serb që jeton në Kosovë, të bëhen në mënyrë transparente dhe të menaxhohen nga Qeveria e Kosovës, përfaqësuesit e komunitetit serbë dhe ata ndërkombëtare”.

Në komunikatë thuhet se, qeveria e Kosovës është e gatshme që të mundësojë zbatimin në praktikë të elementeve të planit të zotit Ahtisaari për vetë-qeverisje në nivelin lokal të komunave me shumicë serbe në veri të vendit. Këto elemente ndër të tjera mundësojnë edhe krijimin e partneritetit ndërmjet komunave, duke iu mundësuar atyre që të kenë vendim-marrjen në nivelin lokal, në asambletë komunale, që do të jenë legjitime.

Kjo është e gjitha që do t'iu ofrohet serbëve në veri të vendit, dhe asgjë më shumë. Propozimi i Serbisë që komunat me shumicë serbe të marrin Statusin e Komunave Autonome, është i papranueshëm dhe as që do të lejoj që të shtrohet për diskutim”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi.

Të dielën, autoritetet serbe publikuan tekstin e platformës për bisedimet me Kosovën nëpërmjet së cilës kërkohet autonomi territoriale për katër komunat veriore të Kosovës dhe komunat tjera me shumicë serbe.

Publikimi i tekstit të platformës pasoi miratimin e një Rezolute nga Parlamenti serb me të cilën përcaktohet qasja e Beogradit ndaj Kosovës dhe bisedimeve që pritet të vazhdojnë javën tjetër në Bruksel.

Kryeministrat e të dyja vendeve, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, pritet të takohen të enjten më 17 janar në Bruksel. për të vazhduar bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Përparimi në këto bisedime është kushti themelor për rrugëtimin e të dyja vendeve drejt Bashkimit Evropian.
XS
SM
MD
LG